Lidhje

Shrëder kërkon mbështetjen amerikane për anëtarësimin në K.S.


Kancelari gjerman Gerhard Shroder theksoi kërkesën e Gjermanisë për statusin e anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas takimit me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Bush tha se Kombet e Bashkuara duhet të miratojnë reforma më të gjera para se të merren me zgjerimin e Këshillit të Sigurimit. Por në përgjigje të pyetjes lidhur me kërkesën e Gjermanisë për t’u bërë anëtare e përhershme e Këshillit, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara nuk u kundërvihen përpjekjeve të asnjë vendi për një status të tillë.

Zoti Shrëder theksoi kontributin e Gjermanisë në Afganistan, Irak dhe rajone të tjera të botës dhe tha se vendi i tij duhet të ketë të drejtën të ketë përfaqësim në këtë këshill. Zoti Shrëder do të flasë në Dhomën amerikane të Tregëtisë dhe do të takohet me anëtarë të Kongresit.

Mundësia e zgjedhjes së një udhëheqësi të ri për Gjermaninë brenda pak muajsh e ka larguar vëmendjen nga vizita e zotit Shrëder në Shtetet e Bashkuara. Kancelari gjerman ka kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi partia e tij humbi zgjedhjet lokale të majit në një nga landet më të rëndësishme.

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder i kërkoi parlamentit të mbajë një votë-besim për qeverinë e tij – një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në shtator.

Qeveria e zotit Shrëder ka pësuar humbje të mbështetjes popullore në anketat e opinionit. Nëse qeveria humbet votë-besimin do t’u hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme, gjë që do t’i jepte zotit Shrëder shansin për një mandat të ri politik.

Mbështetja për qeverinë e zotit Shrëder ka rënë ndërkohë që ekonomia gjermane është në stanjacion, ritmet e papunësisë janë të larta dhe pasi partia e tij shënoi humbje në zgjedhjet lokale. Kohët e fundit ka pasur edhe një sërë problemesh në Bashkimin Evropian, përfshirë kundërshtimin e Francës dhe Holandës ndaj projekt-kushtetutës së bllokut. Zyra e zotit Shrëder e bëri sot kërkesën për votë-besim, ndërkohë që kancelari gjerman vazhdon vizitën në Uashington.

XS
SM
MD
LG