Lidhje

Zgjedhjet 2005: Interesat e politikanëve për pushtet bien ndesh me interesat e Shqipërisë


Sinjalet nga bota kanë qënë të qarta se autoritetet shqiptare duhet të përmbushin standarte më të larta se më parë për zgjedhjet e tre korrikut. Por a do të arrijë Shqipëria ta kalojë me sukses këtë provë maturie politike?

Intervistë e Zërit të Amerikës me analistët Fatos Lubonja dhe Mustafa Nano.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, thirrjet nga komuniteti ndërkombëtar dhe në se mund të shpreheshim, presioni nga jashtë, ka qënë këtë herë më i madh për të organizuar zgjedhje të lira e të drejta. Si janë shenjat e deritanshme, a janë treguesit optimistë për zgjedhje të drejta?

Fatos Lubonja: Unë besoj se vetë fakti që ka një prezencë shumë më të mëdha, një shqetësim më të madh ndërkombëtar, nuk është shenjë e mirë, në qoftë se zgjedhjet do t’i shikojmë si një test për demokracinë. Pra pas 15 vjetësh, në një Shqipëri normale, ne duhet të ishim të zotë që të kishim në dorën tonë fatin, të kishim ndërtuar institucione të besueshme, pra të bënim zgjedhje normale. Fakti që ne kërkojmë, madje më shumë, prezencë perëndimore, më shumë arbitrim perëndimor, se sa ç’kemi kërkuar disa vjet më përpara, është sipas mendimit tim, një shenjë e keqe. Pra në procesin e demokracisë, unë mendoj që këto zgjedhje, që janë jo vetëm një test, por do ta quajë “një provë në ngarkesë”, e gjithë shoqërisë shqiptare, e politikës shqiptare, mendoj se në shumë drejtime, organizmi i tyre çalon, po ngulçon dhe po tregon shenja shqetësuese. Unë do të thoja se zgjedhjet nuk janë thjesht një ditë, zgjedhjet janë i gjithë ky proces, që po shikojmë përpara, i ngarkuar me probleme, zgjedhjet janë edhe pas procesit të ditës së zgjedhjeve. Unë jam mjaft i shqetësuar për këto zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano për herë të parë në këto zgjedhje, nuk po vihet re më vetëm përplasja e madhe PS-PD, por në garë po marirn pjesë në mënyrë të pavarur edhe dy forca të tjera LSI-ja dhe LZHK-ja. Çfarë ndikimi pritet të ushtrojnë këto dy forca të tjera mbi Patinë Socialiste dhe Partinë Demokratike?

Mustafa Nano: Unë mendoj që është interesante të vihet re që të dyja këto forca janë respektivisht pjesë e të majtës dhe të djathtës shqiptare. Në këtë kuptim, duke menduar që ato garojnë në mënyrë të pavarur, ato do ta copëtojnë elektoratin e majtë dhe të djathtë dhe kam frikë se situata pas zgjedhore do të na ballafaqojë me një realitet i cili do të jetë pa zgjidhje. Mendoj se ka rrezik të mos kemi asnjë shumicë parlamentare. Në qoftë se Ilir Meta, i cili pritet të marrë rreth 10 përqind të votave, e mban premtimin e dhënë për të mos bërë koalicion me asnjë prej partive më të rëndësishme shqiptare, ne do të mbetemi pa qeveri. Unë mendoj se presioni ndërkombëtar, nga njera anë dhe nga ana tjetër presioni i brendshëm kombëtar, do ta bëjë LSI-në dhe udhëheqësin e saj Meta, që të fillojë negociatat, në mënyrë që të krijohet një shumicë qeverisëse, sepse as faktorët ndërkombëtar dhe as faktori kombëtar nuk besoj se do ta pranojnë mungesën e stabilitetit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, a shihni ju një kontradiktë midis aspiratave të Shqipërisë për të qënë pjesë e Evropës, jo vetëm fizikisht, dhe e mentalitetit politik për të shkuar aty?

Fatos Lubonja: Sipas mendimit tim, ka një kontradiktë midis retorikës politike dhe aspiratave të shqiptarëve nga njera anë dhe interesave reale të klasës politike, e cila prej 15 vjetësh ka ndërtuar një sistem, që nuk i shërben këtyre aspiratave, përkundrazi, i ka shërbyer pasurimit të kësaj klase politike, abuzimit me pushtetin dhe mbajtjes së pushtetit. Ndërkohë që retorika politike dhe gjuha për perëndimorët është në përputhje me aspiratat, interesat e kësaj klase politike për të ruajtur pushtetin, janë në kundërshtim me të gjithë këto aspirata. Kjo detyrimisht e largon futjen e Shqipërisë në Evropë. Shqipëria ndodhet përballë një sfide të madhe, që të ndryshojë këtë sistem, në mënyrë që aspirata politike shqiptare të ecë në një kah me interesat e klasës politike shqiptare dhe me interesat e gjithë shoqërisë shqiptare. Çështja është mjaft e rëndësishme, duhet një ndryshim në kahe. Por ky ndryshim në kahe nuk është i lehtë, është shumë i vështirë për t’u bërë. Ende nuk shoh forca reale që të mund të ndryshojnë këtë, që është, në fund të fundit, ndryshim i klasës politike, i një elite, e cila sipas mendimit tim vjen me degradimin që ka pasur qysh në kohën e regjimit komunist. Është inercia e këtij degradimi moral, që nuk lejon ngritjen e forcave të tjera në Shqipëri, që të mund ta çojnë vendin drejt Evropës.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, socialistët e kanë mbështetur një pjesë të mirë të platformës së tyre elektorale tek sulmet ndaj kryetarit të partisë demokratike dhe tek ngjarjet e viteve ’97-’98. Sipas jush, a është kjo një zgjedhje taktike, apo është një përpjekje për të fshehur shumë probleme që kanë mbetur të pazgjidhura gjatë 8 viteve të qeverisjes së tyre?

Mustafa Nano: Unë mendoj se janë të dyja. Nga njera anë socialistët përmes kësaj karte synojnë që të mos flitet për qeverisjen e tyre dhe në të vërtetë ata gjithmonë evitojnë me një lloj dinakërie diskutimin e 8 viteve të qeverisjes. Por nga ana tjetër, kam frikë se kjo kartë, karta anti-Berishë dhe përgjithësisht citimi historik i vitit ’97, mund të jetë një kartë e dobishme për socialistët. Kjo mbetet për t’u parë. Pozicioni im është se unë jam kundër një fushate të tillë anti/kundër. Përgjithësisht do të parapëlqeja që të bëhej ballafaqim programesh, alternativash dhe do të parapëlqeja që socialistët t’i tregonin popullit shqiptar atë që kanë bërë. Por ata kanë bërë një zgjedhje dhe në këtë zgjedhje janë të qartë, të vendosur dhe janë shumë të sigurtë se është një kartë që do t’u sjellë vota. Mbetet të presim ditën e zgjedhjeve për të marë vesh se si është e vërteta.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, në Shqipëri fushata e tanishme elektorale, veç premtimeve, përmban akuza, nga të dyja palët për njera tjetrën, që disa herë, për nga natyra e tyre, duken tepër serioze. Ndonëse është e kuptueshme që në zgjedhje të ketë kritika edhe të tepruara, por a ka një kufi, se deri ku mund të shkohet me akuzat, aq më tepër që palët kanë nënshkruar edhe një kod sjelljeje?

Fatos Lubonja: Fakti që fushatat janë ndërtuar mbi akuza për kriminelë nga të dyja palët dhe akuza shumë të gjera, që lenë idenë se Shqipëria do të qeveriset me alternativën e të dy grupeve kriminale, midis të tjerave, ka nxjerrë në pah një problem shumë të madh, që tregon mosrealizimet demokratike në Shqipëri, mungesën e institucioneve të tilla siç është prokuroria, siç është drejtësia, që duhet të kishin venë rregull për këto akuza, që duhet të kishin venë para bankës së të akuzuarve shpifësit, ose të akuzuarit. Sot është krijuar një situatë e tillë, ku ka humbur kuptimin edhe vetë akuza dhe ku në një farë mënyre është një sistuatë që quhet “ujku mjegull do” dhe populli është krejtësisht i çoroditur. Unë mendoj se kjo fushatë dhe kjo krizë që ka kjo fushatë, tregon domosdoshmërinë urgjente të ndërtimit të institucioneve dhe në radhë të parë të institucionit të prokurorisë dhe të drejtësisë, si institucione pa të cilët nuk mund të ketë as shtet ligjor dhe as demokraci.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, megjithë këtë presion që po u bëhet politikanëve shqiptarë gjatë këtyre zgjedhjeve, a mendoni se ekziston mundësia që ndonjë prej partive të mos i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 3 korrikut?

Mustafa Nano: Unë kam mendimin që edhe në rastin kur zgjedhjet janë të shkëlqyera, edhe në rastin kur ka një notë shumë pozitive nga komuniteti ndërkombëtar, apo nga komuniteti lokal, në qoftë se kontenstohen ato do të jenë të kompromentuara dhe do konsideorhen si zgjedhje të gabuara. Prandaj mendoj se kontenstimet e zgjedhjeve kanë krijuar një imazh shumë të gabuar, ndonjëherë edhe duke i shumëfishuar gabimet e procesit. Unë këtë radhë mendoj që nuk do të kemi kontestime të egra, sepse të dyja palët kanë pranuar një gjykatës, i cili për ta është i paanshëm, kanë evituar KQZ-në, kanë evituar edhe faktorë të tjerë, të cilët janë në mënyrë kushtetuese kontrollues të procesit zgjedhor dhe kanë pranuar komunitetin ndërkombëtar, ODIHR-in dhe OSBE-në. Deklaratat e udhëheqësve kryesorë lënë të kuptohet se në qoftë se ODIHR/OSBE-ja dhe përgjithësisht vëzhguesit ndërkombëtarë do të thonë që zgjedhjet ishin korrekte dhe të pranueshme, nuk do të ketë kontestime. Unë jam i prirur t’i besoj këto deklarime të udhëheqësve politikë shqiptarë.

XS
SM
MD
LG