Lidhje

Çmimi Man Booker International rrit kërkesën e lexuesve anglishtfolës për veprën e Kadaresë


Kur një shkrimtar merr një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar, publiciteti i suksesit, shoqërohet me rritjen e kërkesës së lexuesve dhe librarive për veprën e tij. E njëjta gjë po ndodh me Ismail Kadarenë që kur ai fitoi çmimin Man Booker International para një muaji. Megjithatë botuesit e librave të tij në anglisht paralajmërojnë se ndonjëherë shijet e publikut të gjerë, sidomos amerikan për letërsi më të thjeshtë, mund të ngadalësojnë disi përhapjen e shpejtë të veprës së shkrimtarëve të kalibrit të tij. Kolegia jonë Keida Kostreci bisedoi me botuesit e veprës së Kadaresë në anglisht dhe me përkthyesin që ia ofron veprën e Kadaresë publikut anglishtfolës.

Personazhet e Ismail Kadaresë flasin anglisht, falë përkthimit të David Bellosit. Të paktën për vitet e fundit që kur ai është bërë përkthyesi i veprës së Kadaresë në gjuhën e Shekspirit. Kadareja zgjodhi pikërisht Bellosin për çmimin e përkthyesit.

Vetë përkthyesi i tha Zërit të Amerikës, se ndjehet i nderuar për këtë vlerësim. Sipas tij një nga të veçantat e Kadaresë është ndjesia magjepsëse që të jep fakti se ai është një shkrimtar i kombit të tij, gjë që nuk haset në letërsinë bashkëkohore franceze, britanike apo amerikane.

"Por me Shqipërinë dhe Kadarenë është ndryshe. Ai me vetëdije të plotë shkruan për Shqipërinë dhe për t’ia paraqitur Shqipërinë botës. Dhe për mendimin tim kjo është shumë mbresëlënëse”.

Bellos, tregon edhe për sfidën e të përkthyerit të një letërsie aq komplekse dhe të stërholluar sa ajo e Kadaresë.

“Kadareja në të gjithë veprat e tij letrare, bën ecejake nga realiteti në ëndërr dhe nga e tashmja në të kaluarën e anasjelltas. Ai e realizon një gjë të tillë me një zotësi shumë të madhe dhe është një sfidë e madhe për përkthyesin që të arrijë ta transmetojë këtë kalim po aq rrjedhshëm dhe pa humbur ngarkesën emocionale të origjinalit, ku autori përpiqet të na bindë që bota jonë e sotme është gjithashtu pjesë e së kaluarës dhe që e kaluara është gjithnjë aktuale”.

Sfida pas marrjes së çmimit Man Booker International, është se si kjo botë që pasqyron Kadareja të bëhet më e përhapur për lexuesin anglishtfolës. Zoti Bellos parashikon që ndikimi të ndjehet së pari në Britani:

“Mendoj se së pari ndikimi do të ndjehet në Britani, ku çmimi Booker Prize është shumë i njohur dhe ku çmimi i parë ndërkombëtar ka tërhequr dhe do të tërheqë shumë interesin e medias dhe do ta bëjë shumë më të njohur emrin e Kadaresë”.

Një parashikim të tillë e konfirmon botuesi britanik Christopher MacLehose i Shtëpisë Botuese Harvill Press, pjesë e Random House.

“Një interes i menjëhershëm nga libraritë, nga lexuesit, nga gazetarët, në gjithë Britaninë, por edhe në Australi”.

Por ajo që është menjëherë e prekshme në Britani, nuk është edhe aq e dukshme në Shtetet e Bashkuara. Richard Seaver, i shtëpisë botuese amerikane Arcade thotë se tani janë në proces botimi Trashëgimtari dhe Vajza e Agamemnonit.

“Kemi në plan të botojmë edhe disa libra të tjerë të Kadaresë, jo nën ndikimin e çmimit, megjithëse çmimi ishte diçka shumë pozitive për zotin Kadare, sepse jam i sigurt që do të rrisë shitjen e librave të tij jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por kudo në vende të huaja”.

Zoti Seaver e cilëson Kadarenë një shkrimtar të klasit botëror, por thotë se në përgjithësi në Amerikë ka rënë interesimi për letërsinë e huaj.

“Kjo nuk ka lidhje me zotin Kadare, por me faktin që në Shtetet e Bashkuara botohen shumë pak libra të shkrimtarëve të huaj të përkthyer në anglisht, në krahasim me Evropën, ku shpesh 40-50 për qind e titujve të shtëpive botuese janë nga autorë amerikanë”.

Mesa duket letërsia e sotme klasike ka një rival tjetër përsa i takon tërheqjes së publikut: letërsinë komercialiste dhe të lehtë. Zoti MacLehose i shtëpisë botuese britanike thotë se kjo është një prirje e përgjithshme.

“Për libra të një madhështie të tillë si ato të Ismail Kadaresë nuk mund të presësh që gjithkush të shkojë me vrap në librarinë e lagjes dhe të kërkojë Pallatin e Ëndrrave, ose Piramidën, ose Prillin e Thyer”.

Por ai është i sigurt se vepra e Kadaresë do të bëhet edhe më e kërkuar në gjithë botën.

“Ka një humor, humanizëm dhe një qartësi verbuese në veprën e Ismail Kadaresë, gjë që mendoj se do të gjejë një audiencë në gjithë vendet e botës, që nuk e kanë lexuar ende veprën e tij”.

XS
SM
MD
LG