Lidhje

SHBA: Liria e shypit përsëri në qendër të vëmendjes


Të mërkurën, një gjykatës amerikan mori vendimin për burgosjen e një gazetareje, pasi ajo nuk pranoi të nxirrte burimin për një informacion, ku bëhej publik identiteti i një agjenteje të fshehtë të CIA-s. Kjo histori, e ka drejtuar përsëri vëmendjen tek liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara dhe ka ngritur pikëpyetje për të drejtat që gazetarët mendojnë se kanë në bazë të amendamentit të parë të Kushtetutës.

Xhudith Miller, gazetare e Nju Jork Tajmsit mund të mbetet në burg për katër muaj, pasi u arrit në përfundimin se nuk ka respektuar autoritetin e gjykatës, sepse ka refuzuar të japë emrin e burimit të saj të paidentifikuar.

Edhe Methju Kuper, gazetar i Revistës Tajm rrezikonte të burgosej, megjithëse revista ia kishte dorëzuar shënimet e tij prokurorëve. Por Kuper arriti të evitonte burgun në momentin e fundit, kur burimi i tij i fshehtë e lejoi të dëshmonte para jurisë.

Prokurori i Posaçëm Patrik Ficxherald po heton për të zbuluar se cili nga zyrtarët e administratës së Presidentit Bush ia dha gazetarëve para dy vjetësh emrin e agjentes së CIA-s.

Profesori i së Drejtës në Universitetin Georgetown Majkëll Seidman thotë se argumenti i prokurorit që gazetarët duhet të dëshmojnë është i thjeshtë.

“Atyre u duhet ky informacion që të zbulojnë nëse është kryer ndonjë vepër penale dhe cilët janë autorët. Çdo qytetar është i detyruar në bazë të ligjit, që nëse ka informacion në lidhje me një krim, ta japë atë informacion nëse thirret në gjyq”.

Gjykatësi Tomas Hogan që vendosi burgosjen e zonjës Miller tha se ajo po shkel ligjin dhe nëse shkon në burg, ajo mund të bindet të dëshmojë. Por kryeredaktori i Nju Jork Tajmsit Bill Keller, nuk mendon kështu.

“Ligji e detyronte Xhudit Millerin të vendoste nëse duhet të nxirrte emrin e një burimi të fshehtë, apo të shkonte në burg. Ajo mori një vendim të guximshëm dhe parimor që reflekton një vlerësim të ndërgjegjes individuale - pjesë e traditës së Amerikës që nga krijimi i saj.”

“Ka patur shumë moralizime në shtyp për të drejtën e publikut për t’u informuar. Është diçka ironike. Në këtë rast është shtypi që nuk po lejon publikun të informohet. Arsyeja që ne nuk dimë se kush u përpoq të shkatërronte karrierën dhe ndoshta edhe jetën e një agjenteje besnike të qeverisë, është sepse shtypi po e mban të fshehur atë informacion”, thotë profesor Seidman.

Ky rast i ka indinjuar gazetarët dhe përkrahësit e amendamentit të parë të Kushtetutës, mes së cilëve edhe Lusi Dalglish e Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit.

“Mendoj se do të shtohet numri i gazetarëve që përdoren si vegla për hetime nga qeveria dhe në të ardhmen do të ketë raste të tjera kur njerëzit nuk do të pranojnë të flasin në konfidencë për gazetarët”.

Para se të burgosej, Xhudith Miller shpjegoi sesa të nevojshme janë burimet e paidentifikuara.

“Që nga skandali i Uotergejtit deri tek skandalet financiare të Enronit e tek abuzimet në burgun e Abu Graibit, të gjitha këto lloj njoftimesh janë bërë përmes burimeve të brendshme”.

Rasti më i famshëm në Amerikë për ruajtjen e identitetit të një burimi ishte ai i Mark Feltit. Për mbi 30 vjet, gazetarët e Uashington Postit Bob Uduërd dhe Karl Bernstin nuk pranuan ta nxirrnin emrin e tij, duke thënë se e vetmja mënyrë me të cilën një gazetar mund të merrte informacion delikat ishte duke premtuar se nuk do ta nxirrte burimin. Informacioni që dha Mark Felt, si zyrtar i lartë i FBI-së në atë kohë, solli më vonë dorëheqjen e Presidentit Nikson. Kohët e fundit, ishte vetë Mark Felt dhe jo gaztarët që deklaroi se ai kishte qenë burimi për skandalin e Uotergejtit.

Organizatat e medias po përpiqen që të sigurojnë mbështetjen e Kongresit për të futur në fuqi një ligj që do të mbronte gazetarët të cilët përpiqen të ruajnë burimet e paidentifikuara.

XS
SM
MD
LG