Lidhje

Kosovë: Incident me armë zjarri pranë Pejës; vriten 2 persona


Dy persona u vranë sot me armë zjarri në një fshat të Pejës, të qëlluar nga persona të paidentifikuar, që ishin në një makinë në lëvizje. Burime të pakonfirmuara zyrtarisht, thonë se ata janë nga familja Musaj, në Strellc të Deçanit në Kosovën Perëndimore. Në një zhvillim tjetër, zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin, u sugjeroi të hënën udhëheqësve dhe expertëve në Kosovë që të mendojnë për pozicione konkrete për çështjet që kanë të bëjnë me statusin përfundimtar të Kosovës.

Dy persona, u vranë sot në fshatin Raushiq të Pejës, pranë një pompe benzine, pasi u qëlluan nga persona të paidentifikuar, që ishin në një makinë në lëvizje. Policia nuk i ka konfirmuar zyrtarisht emrat e viktimave, por jo-zyrtarisht thuhet se ata janë dy anëtarë të familjes Musaj nga Strellci i Deçanit, Xheladin Musaj dhe nipi i tij të cilët ishin në një makinë tjetër.

Incidenti ka ndodhur në rrugën kryesore Pejë-Gjakovë, ndërkohë që viktimat po shkonin drejt Deçanit. Një anëtar tjetër i kësaj familjes, Sadik Musaj, u vra me armë zjarri para pak kohe në këtë zonë.

Zëdhënësi i policisë Refki Morina, konfirmoi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13 e 15 minuta, në rrugën Pejë-Decan, pranë pompës së benzinës Molika, ku ka pasur disa të shtëna me armë zjarri, të drejtuara në makinën e viktimave që shkonte në drejtim të Decanit. Një makinë në kalim e sipër ka shtënë me breshëri plumbash dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Mjekët kanë konfirmuar se dy persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Njësitet e policisë dhe hetuesisë po marrin të dhënat në vendin e ngjarjes, prova dhe dëshmi të dëshmitarëve okularë që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Në një zhvillim tjetër, zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin, ka theksuar sot në një forum të organizuar në Prishtinë, se roli i UNMIK-ut në Kosovë është që të lehtësojë procesin politik që çon drejt përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës. Zoti Rosin, i cili ka folur në një forum të quajtur "Statusi përballë statukuosë", ka konfirmuar se ajo që UNMIK-u shpreson me krijimin e një Forumi Politik të Kosovës, është formësimi i tij si një grup pune për përgatitjet për statusin, përgatitjen e rolit të Kosovës në procesin e statusit.

Zoti Rosin ka nënvizuar se deri në vjeshtë, kur pritet të fillojnë bisedimet për statusit, lojtarët kryesorë të Kosovës duhet të kenë vendosur për proceset dhe pozicionet e tyre për një numër cështjesh madhore që lidhen me statusin e ardhshëm të Kosovës, duke përfshirë në process edhe ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave jo-qeveritare.

Zoti Rosin ka rekomanduar që Kosova të përqëndrohet më shumë në elementët praktikë për bisedimet e ardhshme për statusin, trajtim konkret të një numri çështjesh, siç është mbrojtja e pakicave, ide për masa konkrete për mbrojtjen e pakicave, mbrojtjen e qendrave fetare, ortodokse, apo çështje të tjera si shpërndarja e borxhit dhe pasurive, kthimi i pasurive të artit dhe të dhënave kadastrale, dhënien e sigurive për shërbime të barabarta për të gjitha komunitetet, siguri të barabartë për të gjithë, dialog të hapur dhe të vazhdueshëm me të gjitha komunitetet brenda Kosovës, dhe të tjera.

XS
SM
MD
LG