Lidhje

Masat pas shpërthimeve të Londrës


Politikanët britanikë janë duke shqyrtuar ligje të reja për të frenuar predikimet radiale islamike, një hap ky në vazhdën e masave kundër terrorizmit të bredshëm pas shpërthimeve të fundit në sistemin e transportit të Londrës.

Ministri i brëndshem britanik, Charles Clark po përpiqet të gjejë mbështetje te partitë kryesore të opozitës, te konservatorët dhe demokratët liberalë për të zbatuar masa shtërnguese ligjore kundër terrorizmit. Qeveria kërkon që Parlamenti të miratojë ligje të reja gjatë disa muajve të ardhshëm në bazë të të cilëve do të ndalej nxitja e drejtpërdrejtë e terrorizmit, hyjnizimi i tij apo trainimi i njerëzve për sulme terroriste.

Kundërshtimet ndaj këtyre propozimeve kanë qenë të pakta pas sulmeve të 7 korrikut në sistemin e transportit të Londrës ku gjeten vdekjen mbi 50 vetë. Por debatet e mëparshme mbi çështje të ngjashme si ndalimi i nxitjes së urrejtjes fetare, kanë ngjallur debate dhe kundërshtime të fuqishme nga ana e veprimtarëve të lirive civile.

Në një zhvillim tjetër, qeveria ka patur një përplasje të hapur me një organizatë prestigjioze që merret me studime për politikën e jashtme e cila thotë se angazhimi në Irak e ka bërë Britaninë më të prekshme ndaj sulmeve terroriste.

Raporti i Institutit Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare thotë se rrjeti terrorist i al-Qaidës e ka shfrytzuar luftën në Irak për të zgjeruar fushatën e tij të rekrutimit dhe për ta bërë këtë një armë propagandistike kundër interesave britanike dhe amerikane. Njëri prej autorëve të raportit, Paul Wilkinson i Universitetit Saint Andrews thotë se Anglia nuk duhet të kishte marrë pjesë në ndërhyrjen në Irak. “Do të ishte një qendrim i matur për Britaninë si për çdo vend tjetër sovran që të përpiqet të ruajë sa më shumë që të jetë e mundur kontrollin dhe pavarësinë e politikës së jashtme. Të qenit aleate e ngushtë me një vend tjetër nuk do të thotë medomos se duhet të pranosh çdo propozim ose nismë që shtrohet në tryezë".

Qeveria britanike e hedh poshtë këtë ide. Ja si shprehet Sekretari britanik për çështjet e jashtme Jack Straw: “Habitem se si Instituti Mbretëror thotë tani se ne nuk duhet të kishim qendruar krah-për-krah me aleatin tonë të vjetër, Amerikën. Më lejoni të them gjithashtu se ka kaluar koha e justifikimeve që ne të mos marrim masa kundër terrorizmit. Terroristët kanë ndërmarrë sulme kudo në botë - në vende aleate të Shteteve të Bashkuara, në vende që kanë mbështetur luftën në Irak, por edhe në vende që s’kanë të bëjnë fare me Luftën në Irak.”

Ndërkaq, grupi më i madh mysliman suni në Britani nxori një dekret fetar ku dënon shpërthimet në Londër që besohet se janë kryer nga myslimanë britanikë. Dekreti i këshillit britanik Suni thotë se këto sulme nuk mund të justifikohen dhe i dënon autorët e shpërthimeve. Shumica e organizatave kryesore britanike muslimane i kanë dënuar sulmet e Londrës dhe janë duke u këshilluar me policinë mbi mënyrat për të çrrënjosur terroristët dhe përkrahësit e tyre.

XS
SM
MD
LG