Lidhje

Irak: Rrëmbehet diplomati më i lartë algjerian në Bagdat


Policia irakiane thotë se diplomati më i lartë algjerian në Irak dhe një ndihmës i tij janë rrëmbyer në Bagdatin perëndimor. Autoritetet thonë se persona të armatosur i rrëmbyen sot dy diplomatët para një restoranti në lagjen al-Mansur të kryeqytetit irakian.

Diplomatë të lartë nga tre vende myslimane, Egjipti, Bahreni dhe Pakistani, ka qenë në shenjestër të akteve terroriste në Bagdat në fillim të këtij muaji. I dërguari egjiptian në Irak u rrëmbye dhe kryengritësit kanë njoftuar se e kanë ekzekutuar, por trupi i tij nuk është gjetur. I dërguari i Bahrenit u plagos në një pritë, ndërsa ambasadori pakistanez i shpëtoi një sulmi pa u dëmtuar.

Në zhvillime të tjera, kryengritësit vranë sot mbi 10 persona, përfshirë pesë ushtarë irakianë në një shpërthim vetëvrasës në jug të Bagdatit. Ushtria amerikane njofton se edhe një marinar amerikan u vra sot nga plagët e marra në një shpërthim në Bagdat javën e kaluar.

Ndërkaq, Dhoma e ulët e parlamentit në Itali miratoi fondet për të mbajtur 3 mijë trupat italiane në Irak për gjashtë muajt e ardhshëm. Votimi i sotëm në Dhomën e Deputetëve ishte 283 pro dhe 207 kundër. Mbështetja për këtë miratim erdhi nga konservatorët e kryeministrit Silvio Berluskoni që kanë një shumicë të fuqishme në parlament.

Opozita e qendrës së majtë, e cila kundërshton luftën në Irak, votoi kundër zgjatjes së qëndrimit të trupave në Irak. Kjo masë tani duhet të miratohet nga senati italian javën e ardhshme. Zoti Berluskoni tha se Italia do të fillojë një tërheqje graduale të trupave nga Iraku në shtator me rreth 300 trupa.

XS
SM
MD
LG