Policia e Vlorës tha sot se gjeti trupin pa jetë të një vajze njëzetvjeçare e cila pak kohë më parë kishte denoncuar një varg oficerësh të policisë së këtij qyteti të përfshirë në korrupsion dhe trafiqe.
Sipas burimeve policore Joana Dudushi, nënë e një foshnje disa muajshe, është qëlluar me thikë në zemër dhe më pas është hedhur në det. Policia tha se kishte nisur hetimet për vrasësit.
Partia Demokratike e opozitës përmes nënkryetares së saj Jozefina Topalli kërkoi angazhimin e Prokurorit të Përgjthshëm për të hetuar rrethanat që kanë çuar në këtë krim. Partia Demokratike tha se vrasja dëshmonte situatën e boshllëkut shtetëror dhe kaosit që ka përfshirë sipas Partisë Demokratike strukturat e shtetit.
Viktima e sotme në Vlorë, Joana Dudushi, ishte bërë e njohur për publikun shqiptar përmes denoncimeve në një emision televiziv investigativ të një vargu oficerësh të policisë së Vlorës.
Vajza kishte denoncuar oficerë të një njësie të anti-trafikut se ishin të implikuar vetë në trafiqe dhe u vinin gjoba qytetarëve nën akuza të rreme. Prokuria e Vlorës kishte nisur hetimet për dëshmitë e 20 vjeçares të bëra në emisionin Fiks fare të televizionit Top Channel.
Por në gjykatë për shkak të presioneve vajza 20 vjecare i kishte tërhequr denoncimet e saj dhe i ishte kthyer jetës me foshnjën e saj nëtë muajshe në një shtëpi përdhese në periferi të Vlorës.