Lidhje

John Bolton, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në OKB


Presidenti Bush emëroi zyrtarin e Departamentit të Shtetit, John Bolton në postin e ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, duke anashkaluar konfirmimin e tij nga Senati.

Presidenti Bush e bëri njoftimin sot në Shtëpinë e Bardhë duke thënë se zoti Bolton do të shfaqë qartë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara dhe do të ndjekë një politikë rezultatesh në OKB.

Në bazë të kushtetutës, presidenti Bush ka të drejtën të bëjë emërime pa miratimin e senatit, kur Kongresi nuk është i mbledhur. Zoti Bolton mund të shërbejë në postin e ri deri në sesionin e ardhshëm legjislativ të Kongresit që fillon në janar të vitit 2007.

Senatorët demokratë e kishin bllokuar prej muajsh procesin e konfirmimit të zotit Bolton, duke e akuzuar atë se kishte manipuluar informacione zbulimi para luftës së Irakut. Ai gjithashtu ka qenë një kritik i ashpër i Kombeve të Bashkuara.

Që nga viti 2001, zoti Bolton ka qenë nënsekretar shteti për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG