Lidhje

10 vjetori i Srebrenicës nxjerr në pah ndryshimet në median serbe


10 vjetori i vrasjes masive të 8 mijë boshnjakëve të paarmatosur nga ana e serbëve në Srebrenicë dhe rrethinat e saj, u pasqyrua gjerësisht nga mediat në Serbi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood i cili ishte kohët e fundit në Beograd njofton se kjo kthesë e qëndrimit të shtypit, ishte disi befasuese.

Media serbe nuk e anashkaloi ngjarjen e Srebrenicës. Televizionet e mbuluan drejtpërdrejt. Dhe gjatë veprimtarive përkujtimore, ministri i jashtëm serb ishte në studion e televizionit të pavarur B92, ku mori pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me myslimanët e Bosnjës në Sarajevë.

Vëmendja u përqendrua tek presidenti serb Boris Tadic, prania e të cilit në ceremoni u konsiderua si një ndjesë publike.

Por përsa i takon ndikimit që pati, drama e Srebrenicës kishte filluar që një muaj para ceremonive përkujtimore kur televizioni serb shfaqi pamje të paraushtarakëve serbë pranë Srebrenicës në vitin 1995 duke vrarë të rinj myslimanë boshnjakë. Dusan Radulovic, redaktor në Radion shtetërore Beogradi thotë se efekti në opinionin publik ishte i jashtëzakonshëm.

“Për herë të parë serbët e pranuan se atje kishte ndodhur diçka e tmerrshme, që ishin kryer krime lufte. Për herë të parë, ata panë njerëz në uniformë me flamurin serb në mëngën e xhaketës, në spaleta, të kryenin akte absolutisht të pabesueshme, të vrisnin gjashtë djem të rinj”.

Dhjetë gazetat e përditshme të Beogradit i mbuluan gjerësisht ceremonitë përkujtimore dhe rivarrimin e eshtrave në Srebrenicë, me një larmi pikëpamjesh. Botuesi dhe analisti Bratislav Grubacic thotë se botimet senacionaliste mbizotërojnë tani në tregun serb. Një prej tyre, Kurir është gazeta më popullore në Serbi dhe pasqyrimi i saj ishte i ndryshëm nga konkurrenca.

“Për shembull, e gjithë pjesa tjetër e shtypit u përpoq të bënte komente modeste dhe të përdorte një formulim si të thuash diplomatik. Ndërsa në faqen e parë të Kuririt shkruhej: ‘Presidenti serb Boris Tadic ishte në Srebrenicë për ceremoninë përkujtimore. Por kur ai mbërriti atje, njerëzit po e mallkonin, po e ofendonin dhe po e kërcënonin.’ Kështu që është e qartë se ata ishin kundër pranisë së tij”.

Zoti Grubacic thotë se ndërsa disa organe të medias serbe e kanë lënë pas nacionalizmin dhe pasqyrimin e serbëbe si viktima, disa të tjerë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Por pavarësisht nga pasqyrimi shpesh i pabalancuar, serbët, thotë ai, po fillojnë të besojnë se vendi i tyre kishte përgjegjësi për masakrën e Srebrenicës.

“Vëmë re se edhe udhëheqësit politikë nacionalistë nuk mohojnë se në Srebrenicë ishin kryer krime. Tani ata thjesht po thonë se ka patur krime edhe kundër serbëve. Tani ne po kalojmë nga faza e mohimit tek ajo ku thuhet se pati mizori nga të dyja palët”.

Si shembull, Dusan Radulovic i Radio Beogradit përmend një artikull në gazetën Novosti që e krahason Srebrenicën me vrasjen e serbëve në Bosnje, që ishin të përmasave shumë më të vogla.

"Ata përpiqen t’i vënë në barazpeshë vrasjen me një operacion të vetëm të 7-8 mijë vetëve në Srebrenicë me vrasjet gjatë një viti të tërë kundër serbëve. Kështu që ata përmendin të vrarët gjatë 4-5 vjetësh luftë në atë pjesë të Bosnjës, duke i vënë përballë një ngjarjeje që ndodhi brenda 5-6 ditëve”.

Një organizatë amerikane që vëzhgon median, Irex, vë në dukje se gazetat e reja sensacionaliste politike në Serbi kanë standarde të ulëta gazetareske dhe pasqyrimi i ngjarjeve nga ana e tyre është i njëanshëm dhe jokorrekt. Megjithatë IREX thotë se pavarësisht nga defektet, media serbe është më e përgjegjshme nga ç’ishte para pesë vjetësh. Në gjithë rajonin e Ballkanit, sipas kësaj organizate, media ka bërë përpjekje të mëdha për t’u bërë më objektive, e balancuar dhe profesionale.

XS
SM
MD
LG