Lidhje

SHBA: Plakja e fuqisë punëtore dëmton nivelin e ekspertizës së krahut të punës


Brenda pesë viteve të ardhshme, 78 milionë amerikanë që plotësojnë kushtet për të dalë në pension do të fillojnë të largohen nga krahu i punës, duke krijuar një boshllëk përvoje për të cilën ekspertët thonë se nuk mund të plotësohet nga punonjësit e rinj. Materiali që do të ndiqni tani i hedh një sy këtij problemi dhe rrugëve të mundëshme për zgjidhjen e tij.

Kjo quhet “vala e plakjes”, dhe po shkakton shqetësime në qarqet federale dhe ato të korporatave. Rudolph Penner i Qendrës Urbane të Washingtonit thotë se kjo valë ndryshimesh në fakt ka filluar. “Një pjesë e atyre që kanë lindur në periudhën menjëherë pas luftës – kur shtimi i popullsisë pati një rritje të shpejtë - po dalin në pension dhe ata do të kërkojnë sigurime shoqërore në vitin 2008. Ne do të humbim shumë njerëz me përvojë pa pasur të rinj për t’i zëvendësuar ata duke qenë se numri i lindjeve ka qenë shumë i ulët që nga gjysma e viteve ’60,” thotë zoti Penner.

Analistët thonë se njerëzit e lindur mes viteve 1946 dhe 1964 po arrijnë moshën e pleqërisë. Kjo, sipas statistikave federale, do të thotë se punonjësit 55-vjeçarë dhe më të vjetër do të përbëjnë rreth 17 përqind të krahut të punës deri në fund të kësaj dekade. Dhe sipas parashikimeve për dalje masive në pension dhe numër të ulët lindjesh, shumë pensionistë mund të ftohen të mbushin boshllëqet në krahun e punës.

Victor Marshall, drejtor i universitetit të Karolinës së Veriut thotë se kur brezi i njerëzve të lindur pas luftës do të fillojë të dalë në pension, atëherë një krah më i vogël pune do ta zërë vendin e tij. Pavarësisht nga një rritje prej 4.5 përqind e numrit të personave të punësuar me moshë mbi 65 vjeç, ekspertët vënë në dukje një rënie në numrin e punonjësve me moshë më të vjetër në Amerikë. Anketat e zhvilluara nga Shoqata Amerikane e Pensionistëve tregojnë se 70 deri në 80 përqind e amerikanëve planifikojnë të punojnë pas daljes në pension.

Analistët thonë se rreth një pikë gjashtë milionë punonjës federalë do të dalin në pension deri në vitin 2008. Ata thonë se meqenëse shumë prej pensionistëve duan të vazhdojnë punën, kompanitë duhet të marrin parasysh nevojat e punonjësve të tyre më të vjetër.

Deborah Russell, Drejtoreshë e Seksionit të Sigurisë Ekonomike dhe të Punës thotë se kompanitë duhet të planifikojnë kthimin e punonjësev të tyre në punë në mënyra të reja jo-tradicionale. “Kur flasim me brezin e njerëzve të lindur pas lufte që duan të dalin në pension ata kërkojnë më shumë elasticitet në orarin e punës. Është e vështirë te gjesh njerëz që të duan të punojnë nga ora 9 deri në 5 pasdite pas daljes në pension. Ata kërkojnë të punojnë të paktën gjysëm dite. Dhe këto gjëra mund t’i bindin ata që të vazhdojnë punën,” thotë analistja. Zonja Russell shton se arritjet në fushën e mjekësisë kanë bërë që njerëzit të jetojnë më gjatë, që kompanitë të nxisin punonjësit e tyre për një jetë më të shëndetshme dhe të ulin pagesat për sigurimet shëndetësore.

Dorcas Hardy, kreu i komitetit të politikave për Konferencën për Moshën që do të organizohet nga Shtëpia e Bardhë, thotë se megjithëse punonjësit e rinj janë shumë ambiciozë dhe të besueshëm, të vjetrit sjellin një pikëpamje të ndryshme në vendin e punës. Në përgatitje të konferencës së Shtëpisë së Bardhë mbi moshën që do të mbahet në dhjetor dhe që pritet t’i paraqesë rekomandime presidentit Bush mbi punësimin e njerëzve të moshuar, zoti Hardy vë në dukje çështjet delikate që duhet të trajtohen në lidhje me vazhdimin e punës pas daljes në pension.

Disa analistë thonë se zbatimi i një plani për daljen në pension me faza do t’i lejonte personat që do të dalin në pension të punojnë pjesërisht në vend të 40 orëve në javë. Kjo, do të sillte ndryshime edhe në ligjet për pensionin. Megjithatë, shumica e analistëve mendojnë se punëdhënësit që do të fillojnë shpejt ta kuptojnë ndikimin e së ashtuquajturës “Valë e Moshës”, duhet të fillojnë ta zgjidhin këtë çështje që tani.

XS
SM
MD
LG