Lidhje

Një satelit i ri do të niset për të eksploruar Marsin


Misioni i ardhshëm amerikan në Mars do të fillojë së shpejti pasi nga Florida të niset sateliti i ri për të studiuar me hollësi më të madhe planetin e kuq. Sot bëhet prova e parë për nisje dhe nëse nuk arrihet sukses, përpjekjet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit gusht. Ky është sateliti më i madh që është rrotulluar ndonjëherë në orbitë rreth Marsit:

Që në vitin 1997, agjencia amerikane e hapësirës Nasa ka dërguar në Mars mjete fluturuese çdo dy vjet në përpjekje për të kuptuar më mirë tiparet gjeologjike të planetit më të afërt me Tokën. Misionet synojnë në veçanti të zbulojnë nëse në këtë planet kanë ekzistuar më parë kushtet për jetë. Këtë radhë Nasa po dërgon një satelit të madh që ka një lartësi sa një ndërtesë dy katëshe dhe një gjerësi prej afro 15 metrash.

Drejtori i programit eksplorues në Mars, Daglas Makuisçan thotë se tani misioni ka hyrë në një fazë më intensive kërkimesh:

“Është një mision i madh për ne. Ky është një rol strategjik në programin e eksplorimit të Marsit, pasi po dërgojmë satelitin tonë më të madh në këto 30 vjet, të pajisur me instrumentët më të fuqishëm ndjesorë që janë dërguar ndonjëherë në një planet”.

Nasa thotë se sateliti i ri do të ketë të njëjtat aftësi për të studiuar sipërfaqen dhe atmosferën e planetit si satelitët e tjerë amerikanë dhe evropianë që janë hedhur më parë në orbitë, apo dy sondat amerikane që zbritën në sipërfaqen e planetit.

Shkencëtari i Nasës Riçard Zurek thotë se sateliti i ri, i cili njihet shkurtimisht me inicialet e anglishtes MRO, ka 6 instrumenta. Disa prej këtyre instrumenteve janë projektuar për të zbuluar shenja uji, që shumë shkencëtarë mendojnë se para mijëra vitesh ishte i bollshëm në Mars dhe shërbente si burim jete. Këto pajisje mund të zbulojnë minerale që lidhen me ujin, apo të shpojnë nën sipërfaqe rreth një kilometër thellësi për të studiuar shtresat shkëmbore dhe për të parë nëse ka mbetje uji.

“MRO-ja është projektuar bazuar në idenë “Ndiq ujin” duke ndërthurur studimin e atmosferës dhe të sipërfaqes përmes vëzhgimit të zonave me interes dhe më pas studimit të hollësishëm të sipërfaqes së planetit. Këto të dhëna të marra së bashku pritet të ofrojnë një dritare të re mbi historinë e Marsit, si dhe të na njohin me pikat më të volitshme për zbritjen mbi planet në të ardhmen”, thotë zoti Zurek.

Sateliti ka një qartësi 5 herë më të madhe se mjetet e mëparshme fluturuese të dërguara në Mars. Ky mjet mund të dallojë objekte të vogla sa një pjatë, falë kamerave shumë të sofistikuara:

“Sa herë që kemi rritur fuqinë e kamerave dhe qartësinë e tyre kemi zbuluar gjëra të reja, të papritura të reja”, thotë zoti Zurek.

Me një fuqi të tillë për të mbledhur të dhëna, satelitit i duhen pajisjet e nevojshme për t’i përcjellë këto të dhëna në Tokë. Për këtë arsye shkencëtarët kanë instaluar në satelit antenën më të madhe të dërguar ndonjëherë në Mars, me një diametër prej 3 metrash si dhe një transmetues që punon me energji diellore. Përfaqësuesi i Nasës Xhejms Gref thotë se ky satelit ka një fuqi 10 herë më të madhe se satelitët e mëparshëm të Marsit për të përcjellë të dhëna.

“Misionet e tjera na kanë përcjellë të dhëna fantastike, por këto të dhëna kanë ardhur, si të thuash, përmes një kapilari të vogël. Por tani të dhënat do t’i sjellim, në mënyrë figurative, përmes një tubi të madh. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar Marsin. Duke rritur sipërfaqen e studiuar dhe qartësinë e pamjeve të marra, mund të marrim të dhëna më të hollësishme”, thotë zoti Gref.

Sateliti MRO pritet të arrijë në planetin e kuq në mars të vitit të ardhshëm dhe do të fillojë të dërgojë të dhëna në Tokë në fund të vitit 2006. Por së pari duhet t’ia përshtasë orbitën e tij ovale, orbitës së rrumbullakët të Marsit duke shfrytëzuar forcën e fërkimit atmosferik. Sipas planeve, faza e mbledhjes së të dhënave do të zgjasë dy vjet, por Nasa thotë se sateliti është projektuar për një mision 10-vjeçar për mbledhjen e të dhënave.

XS
SM
MD
LG