Lidhje

Irani, gati për të rifilluar punën për pasurimin e uraniumit


Irani bëri të ditur se hoqi vulat e OKB-së në kompleksin bërthamor, duke hapur kështu rrugën për rifillimin e plotë të punës për pasurimin e uraniumit. Teherani kishte rënë dakort të pezullonte pasurimin e uraniumit nëntorin e kaluar në përgjigje të akuzave të Amerikës dhe Evropës se synonte fshehtazi të prodhonte material për armë bërthamore. Bashkimi Evropian, me mbështetjen amerikane, ka paralajmëruar t'ia kalojë çështjen për sanksione të mundshme Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa Irani njoftoi se po thyente vulat e OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, vendosi sot ta shtyjë ditën e dytë të takimit emergjent për Iranin, në mënyrë që diplomatët të takohen jo zyrtarisht, për të rënë dakort për përgjigjen që do t'i japin Iranit. Takimi pritet të vazhdojë nesër.

Dje, në përfundim të ditës së parë të takimit, diplomatët e paralajmëruan Iranin të mos e rifillojë punën në kompleksin bërthamor.

Zëdhënësia e agjencisë, Melissa Fleming thotë se përpjekjet e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës për ta bindur Iranin që të heqë dorë nga programi i tij për pasurimin e uraniumit në shkëmbim për ndihma ekonomike duket se kanë dështuar.

“Ne mësuam se iranianët kanë rifilluar punën në uzinën e përpunimit të uraniumit në Isfahan. Fatkeqësisht, ata e bënë këtë megjithëse ne u kishim thënë se na duheshin 24 orë për të provuar kamerat të kishim instaluar atje”.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher i bëri thirrje Iranit ta rishikojë këtë hap dhe theksoi se “rifillimi i punës për pasurimin e uraniumit tregon se Irani po bën një hap në drejtim të gabuar”.

Drejtori i Organizatës iraniane të Energjisë Atomike përsëriti edhe një herë se qëllimi i kësaj uzine është prodhimi i energjisë elektrike, por analistët e Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington besojnë se Irani ka ambicje më të mëdha. Anthony Cordesman është ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme të kësaj qendre.

“Nuk ka asnjë dyshim se kemi të bëjmë me një program bërthamor. Çështja është tani se sa të angazhuar janë iranianët, cilat janë përmasat e këtij programi, sa e vështirë është të fshihen gjërat që ne nuk i dimë”.

Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i përbërë nga 35 vende ka kompetencën ta raportojë Iranin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që mund të vendosë sanksione ekonike dhe politike. Por drejtori i kësaj agjencie, Mohamed El Baradei shpreson që konflikti të zgjidhet.

“Shpresoj që kjo të jetë një pengesë e vogël në proces dhe jo sfidimi i tij i përhershëm. Ne kemi bërë mjaft përparim gjatë dy viteve të fundit lidhur me sqarimin e aktivitetit bërthamor të Iranit në të kaluarën dhe unë do t’i raportoj bordit përsëri muajin e ardhëshëm për këtë çështje”.

Presidenti amerikan, George Bush i bëri thirrje Iranit të kthehet në tryezën e bisedimeve, përndryshe do të ketë pasoja.

“Është me rëndësi për iranianët të kuptojnë se amerikanët mbështesin plotësisht treshen evropiane, se ne këmbëngulim që Irani të respektojë marrëveshjen e Parisit se ne do të jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë për masat që duhen marrë në qoftë se ata nuk u kushtojnë vemendje kërkesave”.

Vendimi i Iranit për të rifilluar punën në Isfahan i jep fund një periudhe 8-mujore pezullimi të aktitvitetit për të shmangur sanksionet e OKB-së. Por ministri i Mbrojtjes i Iranit thotë se vendi i tij preferon më shumë të përballet me sanksione se sa të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

XS
SM
MD
LG