Lidhje

Autoritetet serbe kthejnë në Kosovë trupat e 84 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës


Në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fshatin Merdare, sot janë kthyer trupat e 84 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e që janë zhvarrosur në varrezat massive në Serbi. Ky është grupi më i madh i trupave të kthyerve gjatë viteve të fundit në Kosovë, pas zbulimit të rreth 900 kufomave në tri vende të ndryshme ne Serbi, në Batajnicë afër Beogradit dhe Petrovo Sello e Perucac në Serbinë Lindore.

Trupat e shqiptarëve të transferuar në Serbi nga forcat serbe, në përpjekje për te fshehur gjurmët e mizorive të tyre, janë varrosur kryesisht në poligonet e forcave serbe të sigurimit. Shefi I zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore i Misionit të Kombeve të Bashkuara Jose Pablo Baraybar, tha se trupat janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Numri më i imadh i trupave të kthyer janë nga Fushë Kosova, Peja Decani dhe Lipjani”, tha zoti Baraybar, sipas të cilit në thasët e nailonit ka edhe pjesë të trupave tashmë të kthyer në Kosovë.

Të gjithë trupat do t’i nënshtrohen procesit të identifikimit për t’iu kthyer më pas familjeve të tyre. Dhjetëra familjarë sot kishin dalë të presin trupat në një ceremoni emocionale.

Zoti Baraybar shfaqi shpresën për një kthim më të shpejtë të trupave nga Serbia zvarritja e kthimit të të cilëve nga përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të familjarëve është cilësuar si veprim politik. Nusrete Kumnova nga Komisioni Qeveritar për persona të pagjetur tha sot se mungon një trysni më e madhe ndaj Beogradit për kthimin e trupave.

“Do t’ia lëmë drejtësië dhe zotit që na mban e na jep forcën që ta përballojmë këtë gjendje qe 14 herë në Merdare”, tha zonja Kumnova.

Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe partive politike që morën pjesë në ceremoninë e pranim dorëzimit, u zotuan për përshpejtim të procesit të ndricimit të fatit të personave të pagjetur, një nga trashëgimitë më të dhimbshme të luftës së Kosovës.

Grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit tashmë kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh për ndricimin e fatit të rreth 3 mijë personave që ende janë të pagjetur, nga të cilët pjesa dërmuese janë shqiptarë të Kosovës.

Me të kthyerit e sotëm numri I trupave të kthyer në Kosovë ka arritur në 486, ndërsa në Serbi vazhdojnë të mbeten ende edhe 350 trupa. Shpresohet se dialogu që është duke u zhvilluar ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit për zgjidhjen e kësaj cështjeje do të përshpejtojë kthimin e tyre në Kosovë.

XS
SM
MD
LG