Irani paralajmëroi se çdo lloj përdorimi force për të ndaluar programin bërthamor të Teheranit do të ishte i gabuar. Të djelën në një konferencë për shtyp, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane, Hamid Reza Asefi, tha se vendi i tij ka alternativa të shumta për t’u vetëmbrojtur.
Komentet e tij pasojnë një intervistë që Presidenti Bush i dha një televizioni izraelit duke thënë se përdorimi i forcës ishte një mundësi për të mos lejuar Iranin të siguronte armë bërthamore, por vetëm si një alternativë e fundit.
Irani rifilloi javën e kaluar pasurimin e uraniumit, duke heshur poshte një propozim nga ana e Britanisë, Gjermanisë dhe Francës për stimuj ekonomikë dhe politikë, në këmbim të pezullimit të përpunimit të karburantit bërthamor.
Zoti Asefi tha se qëndrimi evropian gjatë këtyre ditëve do të luajë një rol vendimtar për rifillimin ose jo të aktivitetit bërthamor në një kompleks tjetër.
Të shtunën Kancelari gjerman Gerhard Schroeder u kërkoi Shteteve të Bashkuara që të mos e marrin në shqyrtim alternativën ushtarake kundër Iranit, duke thënë se në të kaluarën nuk kishte qenë një alternativë e suksesshme. //az//