KFOR-i në Kosovë do të krijojë zona të mbrojtura në rast trazirash, rreptësisht të ndaluara për civilët. Këto zona të ashtuquajtura zona blu dhe të kuqe, do të krijohen, sipas paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, si një mësim nga trazirat e marsit të kaluar.
Koloneli De Kersabje, zëdhënës i KFOR-it i tha sot Zërit të Amerikës, se këto paralajmërime të bëra publike përmes televizionit public të Kosovës, synojnë të informojnë popullsinë se KFOR-i do të mbrojë zona të veçanta dhe se do të jetë e pamundur dhe e ndaluar të sulmohen disa zona, të cilat do të vendosen nga KFOR-i në bazë të gjendjes në terren.
Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë paralajmëruar popullsinë civile se në rast trazirash, do të krijohen zona të ndaluara me shenja të vecanta, në të cilat do të ndalohet rreptësisht hyrja e civilëve. Të ashtuquajturat zona blu do të kontrollohen nga policia dhe KFOR-i ndërsa zonat e kuqe do të kontrollohen vetëm nga KFOR-i.
Në të dyja rastet, paqeruajtësit kanë paralajmëruar civilët se personat që do të përpiqen të hyjnë në ato zona të ndaluara në rast trazirash do të përballen me pasojat. Paqeruajtësit do të kenë të drejtë të përdorin madje edhe armët e zjarrit në këto raste.
Koloneli De Kersabje, zëdhënës i KFOR-it i tha sot Zërit të Amerikës, se këto paralajmërime të bëra publike përmes televizionit public të Kosovës, synojnë të informojnë popullsinë se KFOR-i do të mbrojë zona të vecanta. Në zonat blu nuk mund të kalojnë civilët, në zonat e kuqe, do të ishte shumë, shumë e rrezikshme që të jesh atje, thotë ai. Koloneli De Kersabje pohon se krijimi i zonave të mbrojtura vjen si pasojë e mësimeve nga trazirat e vitit të kaluar. Ai pohon se paqeruajtësit duan të tregojnë qartë se do të jetë e pamundur dhe e ndaluar të sumohen disa zona, të cilat do të vendosen nga KFOR-i në bazë të gjendjes.
Paqeruajtësit pritet të zhvillojnë një stërvitje për të treguar sesi do të funksinojë ky system i ri mbrojtjeje. Këto zona nuk janë të aktivizuara për momentin, por edhe tani ka disa pjesë dhe zona të vecanta në të cilat duhet leje për të kaluar. Në rast trazirash, liria e lëvizjes për qytetarët do të kufizohej, pohon zëdhënësi i NATO-s.
Megjithatë, ai thekson se KFOR-i nuk pret probleme, sepse siç shprehet ai, trazirat nuk janë mënyrë e mirë për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës. Nesër në Prishtinë pritet të mbërrijë komandanti i Forcave të NATO-s, me qendër në Napoli të Italisë, admirali Harry Ulrich, i cili është komandanti suprem i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë.
Admirali Ulrih pritet të takohet me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë komandantin e KFOR-it, gjeneralin Iv De Kermabo, kryeadministratorin Sorren Jessen Petersen, të dërguarin e Kombeve të Bashkuara ambasadorin Kai Aide dhe kryeministrin Bajram Kosumi. Kjo vizitë e rregullt do të lejojë admiralin Ulrih që të thellojë marrëdhëniet e tij në Kosovë dhe të konfirmojë mbështetjen për misionin e KFOR-it.
Ushtarakët e lartë të NATO-s kanë vizituar rregullisht Kosovën dhe misionin paqeruajtës këtu. Trazirat e marsit janë shqyrtuar nga paqeruajtësit si një zhvillim nga i cili duhen nxjerrë mësime. Një nga paralajmërimet më të rëndësishme që janë bërë që prej këtyre trazirave, është pikërisht krijimi i zonave të mbrojtura blu dhe të kuqe, që do të jenë rreptësisht të ndaluara për civilët.