Lidhje

Hapet festivali i filmit në Sarajevë


Sot në Sarajevë u hap festivali i filmit, një aktivitet i përvitshëm i filluar para 11 vjetësh, gjatë kohës së luftës, si një sfidë që vendi i shkatërruar i bënte ngjarjeve tragjike të asaj kohe. Në festival konkurojnë 9 vende, kryesisht të Ballkanit, por këtë vit konkurrimit zyrtar iu shtua edhe Hungaria. Shqipëria paraqitet në festival me një film të metrazhit të shkurtër, kurse Kosova me filmin Kukumi.

Njerëzit zunë radhën javë më parë për të blerë biletat dhe organizatorët presin mbi 100 mijë spektatorë për të parë 180 filma nga 44 vende të botës. Qindra të ftuar nga industria e filmit kanë premtuar të marrin pjesë, midis tyre aktorja Vanessa Redgrave dhe skenaristi e regjisori i çmimit Oscar, Alexander Payne.

Festivali filloi kur ky kryeqytet i Ballkanit u rrethua nga forcat serbe të pozicionuara në malet që e rrethojnë gjatë luftës së viteve 1992-1995. Të bllokuar dhe nën sulmet e forcave serbe, festivali u krijua për ti kujtuar botës se sarajevasit ishin të uritur për kulturën ashtu si edhe për bukën.

Në festivalin e parë, rreth 15 mijë spektatorë i shpëtuan zjarrit të spajperve për të marrë pjesë në premierat e zhvilluara në një bodrum në qendër të qytetit. Filmi kryesor, Pulp Fiction ishte i përshtatshëm për kohën pasi shpërthimet jashtë sinkronizoheshin me ato në ekran.

Këtë vit midis disa premierave të filmave rajonalë, festivali do të paraqesë filmin Hotel Ruanda, e regjisorit Terry George, Vrasja e Richard Nixonit me regji të Niels Muller-it dhe Sideways e regjisorit Alexander Payne. Festivali i Sarajevës është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme për profesionistët e filmit në këtë pjesë të Evropës.

“Qëllimi kryesor i festivalit është zbulimi, nxitja dhe ndihma për autorët dhe producentët e rajonit. Kjo është arsyeja që krijuam këtë treg të përbashkët për të nxitur punën profesionale në kinematografi”, thotë drejtori i festivali Miro Purivatra.

Këtë vit festivali përfshin edhe Hungarinë në zonën e tij të interesit dhe në këtë mënyrë e mirëpret atë në Programin e Konkurimit. Rajoni përfshin tani 9 vende: Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Hungarinë, Maqedoninë, Rumaninë, Serbinë dhe Malin e Zi dhe Sloveninë.

Këto vende me një popullsi prej mbi 65 milion banorë gjithsej përbëjnë një treg të madh me një potencial të fuqishëm por shpesh të neglizhuar për prodhimet kinematografike.

“Kemi një situatë të favorshme. Të gjithë producentët dhe krijuesit po e pranojnë festivalin e filmit të Sarajevës si zgjedhjen e tyre reale për të paraqitur filmat e tyre në Evropë. Natyrisht, ne nuk mund të konkurojmë me festivalet e Venecias, Berlinit dhe Kanës”, thotë zoti Purivatra.

Çdo vit, mbi 65 filma artistikë, mbi 300 filma me metrazh të shkurtër dhe 150 dokumentarë prodhohen në këtë pjesë të Evropës. Sarajeva si zemra e këtij rajoni është udhëkryqi i përsosur për një platformë kushtuar nxitjes dhe zhvillimit të kinematografisë në këto vende.

Festivali ka shërbyer vitet e kaluara si një katalizator dhe një pikënisje për nisma të rëndësishme si krijimi i Fondit Kombëtar të Filmit në rajon dhe inkurajimi i kompanive rajonale të televizionit për tu angazhuar në prodhimin e filmave. Ai përfaqëson vendin për takimin kryesor të të gjithë profesionistëve rajonalë dhe pikën kyçe për të krijuar lidhje dhe për të mësuar rreth mundësive që ofrohen.

Shqipëria paraqitet në festival me një film të metrazhit të shkurtër, kurse Kosova me filmin Kukumi.

XS
SM
MD
LG