Lidhje

Shqipëri: E Djathta i kërkon Presidentit të thërrasë Parlamentin


Në Shqipëri përfaqësues të partive të koalicionit të djathtë fitues në zgjedhjet e 3 korrikut i kërkuan sot presidentit Alfred Moisiu që të thërrasë mbledhjen e parlamentit më 3 shtator, ditë e cila sipas të djathtëve është dhe afati i fundit i mandatit të parlamentit të kaluar. E djathta ka paralajmëruar se në rast të kundërt ajo do ta mbledhë vetë parlamentin me datë 3 shtator

Zvarritja e tejskajshme e procesit zgjedhor dhe interpretimi i kushtetutës lidhur me faatet e thirrjes së parlamentit të ri e kanë acaruar së tepërmi situatën politike në vend. E djathta e dalë fituese nga votimet e tre korrikut e konsideron të papranueshme gjendjen e krijuar ku në detyrë vazhdon të jetë ende qeveria socialiste kur po bëhen gati 2 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe ku vendi nuk ka parlamentin e tij.

Që prej javës së shkuar Partia Demokratike paralajmëroi se deputetët e shumicës së djathtë do ta mblidhnin vetë parlamentin në datën 3 shtator, datë e cila konsiderohet si afati i fundit i mandatit të parlamentit të kaluar. Sot një përfaqësi e partive të koalicionit të djathtë u takua me presidentin Alfred Moisiu. Sipas nënkryetares së partisë Demokratike Jozefina Topalli takimi kishte për qëllim të vinte në dijeni kreun e shtetit për këtë vendim: "Një grup deputetësh kanë firmosur për të mbledhura parlamentin në datën tre ora 17.00, moment, orë dhe ditë në të cilën vendi mbetet pa parlament. Nga kjo kohë vendi mbetet vetëm me presidentin e Republikës, nuk ka qeveri as parlament".

Presidenti Moisiu sipas kushtetutës mund të thërrasë parlamentin jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve dhe duhet të pres shpalljen e rezultateve përfundimtare nga Komisioni qëndror i Zgjedhjeve. Nga ana e tij, ky komision ka deklaruar se këtë gjë do të mund ta bëjë vetëm më 2 shtator. Në një situatë të tillë presidenti gjendet nën trysninë e zbatimit të kushtetutës nga njëra anë dhe të këmbënguljes së shumicës së re politike nga ana tjetër. Kreu i shtetit kishte parashikuar thirrjen e parlamentit në datën 5 shtator.

Sipas zonjës Topalli vendimi për të mbledhur vetë parlamentin më 3 shtator nuk është ultimatum politik por ultimatum i vetë kushtetutës, dhe për këtë i referohet nenit i cili përcakton se kuvendi zgjidhet për katër vjet: "Cdo orë e shtyrë është antikushtetuese dhe do jemi jo vetëm në një situatë jokushtetuese se në një situatë jo kushtetuese jemi prej gati një muja, por jemi në një situatë kur vendi është vetëm me një president të zgjedhur nga parlkamenti I kaluar pa qeveri dhe pa atë që është mbartësi I sovranitetit, I përfaqësimit dhe besimit të qytetarëve. Ne jemi të përkushtuar për të zbatuar kushtetutën dhe për të mos e lënë vendin as dhe një orë. Parlamenti do të mblidhet më datën 3 shtator".

Nga ana e tyre socialistët e kanë cilësuar vendimin e shumicës së djathtë si një puc institucional, pasi sipas tyre një tjetër pikë e kushtetutës përcakton se “mandati i parlamentit vazhdon deri në mbledhjen e parë të parlamentit të ri”.

Në situatën e krijuar nuk dihet se cfarë veprimi do të ndërmarrë presidenti. Në rast të një mbledhjeje të parlamentit nga vetë deputetët pozita e tij do të lëkundej së tepërmi pasi do të kapërcehej një nga kompetencat që kushtetuta i njeh atij vetë. Në njoftimin për takimin e sotëm shkruhet vetëm se presidenti “do të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur rrugët dhe mundësitë për zgjidhjen sa më parë të çështjes së thirrjes së parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut”.

XS
SM
MD
LG