Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu mandaton kreun e PD-së, Berisha për formimin e qeverisë


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu mandatoi sot kryetarin e partisë demokratike Sali Berisha për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Zoti Berisha deklaroi edhe një herë se qeveria e tij do të jetë një qeveri e shërbimit dhe se nuk do të zhgënjejë qytetarët shqiptarë. Po sot zonja Jozefina Topalli u zgjodh si kryetare e parlamentit. Ajo bëhet kështu e para grua në historinë e shqiptare që drejton këtë institucion të lartë. Zonja Topalli premtoi se do t’i garantojë opozitës të gjitha të drejtat e saj.

Që prej pasdites së sotme kryetari i partisë demokratike e cila udhëhoqi koalicion e djathtë të dalë fitues në zgjedhjet e 3 korrikut është ngarkuar zyrtarisht për formimin e kabinetit të ri. Zoti Berisha u takua me presidentin Alfred Moisiu nga i cili u mandatua për të caktuar kabinetin e tij të ardhshëm.

Zoti Berisha, i cili do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme tha se nuk do t’i zhgënjej qytetarët shqiptarë dhe se qeveria e tij do të jetë një qeveri e shërbimit ndaj tyre. Në të vërtetë gjatë gjithë kësaj periudhe që shoqëroi mbylljen e procesit zgjedhor, zoti Berisha ka mbyllur bisedimet me aleatët dhe duket se dhe postet e tjera që i janë ndarë përfaqësuesve të partisë së tij janë përcaktuar.

Megjithëse ai vetë nuk ka bërë asnjë deklarim për emrat, duket se janë të konfirmuar postet kyce, ku ministria e jashtme do te drejtohet nga zoti Besnik Mustafaj, financat nga Ridvan Bode, ekonomia nga Genc Ruli, ministria e Brendshme Sokol Olldashi ndersa Mbrojtja nga Fatmir Mediu.

Tashmë emrat e ministrave të tij zoti Berisha duhet t’ia drëzojë Presidentit. Sipas të gjitha gjasave ai pritet ta bëjë këtë të hënën. Pas dekretimit të kabinetit kryeministri i ardhshëm do të paraqesë në parlament programin dhe qeverinë e tij për të marrë votbesimin dhe më pas të gjithë do të betohen të presidenti Moisiu para se të marrin detyrën.

Nga ana e tij parlamenti zgjodhi sot kryetarin e ri. Pas votimit ku konkurroi edhe përfaqësuesi i majtë Neritan Ceka, fitoi me 81 vota zonja Jozefina Topalli. Ajo bëhet kështu e para grua që vihet në krye të këtij institucioni të lartë të vendit.

Në fjalën e saj zonja Topalli tha se parlamenti i ri ka nevojë për bashkëpunim nga të gjitha palët për realizimin e reformave të rëndësishme për vendin në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Ajo premtoi se do të jeta garante e të drejtave dhe respektimit të opozitës:

"Me shumë deputetë jemi rritur politikisht në këtë sallë. E kemi kuptuar se liria nuk është liçencë dhe pushteti nuk të jep çdo të drejtë. Përkundrazi, unë duke qenë për një kohë të gjatë në opozitë gjithnjë kam menduar e sot kam mundësi të bëhem unë mbrojtësja dhe përkrahësja e fortë e së drejtës së opozitës, garantja e rregullores që ruan opozitën e jo e shumicën, se ajo nuk ka nevojë. Avokatja e dëgjimit të zërit të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga unë".

Të njejtin mesazh dha dje edhe zoti Berisha në mbledhjen e parë me deputetët e partisë së tij, kur deklaroi se shumica nuk do të përdorë forcën e kartonave për të penguar nismat e opozitës dhe se asaj do t’i garantohet kontrolli i plotë ndaj qeverisë.

XS
SM
MD
LG