Lidhje

Qeveria e Kosovës, 400 mijë euro ndihma për viktimat e uraganit Katrina


Qeveria e Kosovës shprehu sot solidarizimin e popullit të Kosovës me popullin amerikan dhe viktimat e uraganit Katrina, duke ofruar 400 mijë euro ndihmë që do të jepen përmes Kryqit të Kuq amerikan.

Qeveria theksoi vullnetin për të ndihmuar popullin amerikan në këto ditë të vështira. Qeveria e Kosovës ofroi sot 400 mijë euro ndihmë për familjet e viktimave të uraganit “Katrina” në Shtetet e Bashkuara, në shenjë solidarizimi me popullin amerikan. Kryeministri Bajram Kosumi tha se kjo nuk është shumë e madhe, por “vullneti për t’i ndihmuar popullit amerikan në këto ditë të vështira është shumë i madh”. Ndihma e qeverisë së Kosovës do të jepet në Kryqin e Kuq Amerikan.

Në një zhvillim tjetër, autoritetet ndërkombëtare dhanë sot pasdite vonë shifrat e fundit që kanë të bëjnë me kthimin e të zhvendosurve në Kosovë. Sipas statistikës së UNHCR-së, deri më 30 gusht të këtij viti, kanë mbetur ende të zhvendosur që nga trazirat e marsit të kaluar, 1364 persona. Gjatë trazirave u zhvendosën rreth 4.100 persona. Ndërsa nga numri i përgjithshëm i të zhvendosurve që nga 1999 janë kthyer vullnetarisht në shtëpitë e tyre 3.144 anëtarë të pakicave. Numri më i madh i tyre janë kthyer në Pejë dhe Prishtinë. Numri i përgjithshëm i të kthyerve nga komunitetet pakicë që nga viti 2000 është vlerësuar të jetë 13.060.

Në Kosovë vazhdojnë ndërkohë një numër projektesh të organizuara për kthimin e të zhvendosurve që përfshijnë kthimin e 74 familjeve shqiptare të Kosovës në një fshat të Shtërpcës, 270 familjeve serbe në zona të ndryshme të Kosovës, 29 familjeve rome në një fshat të Gjilanit, 20 familjeve serbe, ashkali dhe rome në Obiliq dhe 30 familjeve rome, ashkali dhe egjiptian në zonën e Lipjanit.

Ndërkohë në Kosovë u bë sot kalimi i kompetencave në drejtimin e policisë për rajonin e Prishtinës, nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore. Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë kërkuan që policia locale ti shërbejë ligjit dhe rregullit dhe popullit të Kosovës në përgjithësi. Ndërsa zyrtarët më të lartë vendas nënvizuan nevojën për të pasur një polici që do ti shërbejë ndërtimit të demokracisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG