Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit thotë se NATO-ja nuk duhet të zgjerohet me anëtarë të rinj të paktën deri në vitin 2008. Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria kishin shpresa për t’u anëtarësuar që vitin e ardhshëm.
Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë Kurt Volker thotë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, që zhvilluan sot një takim në Bruksel nuk mendojnë se tre vendet ballkanike janë të gatshme të bëhen anëtare të aleancës.
Ai tha gjithashtu se zyrtarët ranë dakord se nuk ishte e udhës që NATO-ja të zgjerohej këtë vit, ose vitin e ardhshëm. Zoti Volker nuk e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së Ukrainës në zgjerimin e NATO-s së bashku me vendet ballkanike në vitin 2008. Aleanca ka thënë se Ukraina duhet të zbatojë reforma të konsiderueshme para se të anëtarësohet.