Lidhje

Një muze i vogël është homazh për 11 shtatorin


Pak ditë para se të bëhen katër vjet që nga 11 shtatori 2001, u hap një muze i vogël në New York, me fotografi, video dhe relike nga vendi ku u rrëzuan kullat e Qendrës Botërore të Tregëtisë. Fotografi që ngriti muzeun, u frymëzua nga një vizitë në një tjetër muze historik në Amsterdam. Koleksioni i objekteve të ekspozuara mbush një zbrazëtirë, pasi mund të duhen të paktën pesë vjet të tjerë që të ndërtohet një muze tjetër i madh kushtuar 11 shtatorit.

Është një muze i vogël, privat në një nga lagjet e New Yorkut, i hapur nga fotografi Gary Suson. Zoti Suson shërbeu si vullnetar për nëntë muaj në vendin ku ranë kullat, duke fotografuar zjarrfikësit, policët dhe punëtorë të tjerë, ndërsa ata gërrmonin në rrënoja për të nxjerrë trupat e afro 3 mijë viktimave. Pas botimit të një libri me këto imazhe në vitin 2002, zoti Suson iu rikthye karrierës së tij si aktor dhe skenarist. Gjatë një vizite në Amsterdam, ai pa shtëpinë e viktimës së Holokaustit, Ana Frankut.

“U preka shumë nga ekspozita dhe mendova se duhej të bëja diçka, për të kujtuar të rënët dhe për t’u bërë homazh punonjësve të shpëtimit që punuan aq shumë për të gjetur viktimat”.

Kështu, ai ngriti Muzeun e vogël, për të ekspozuar fotografitë e tij, videot e xhiruara nga të tjerët dhe objektet nga vendi ku ranë kullat. Disa nga fotografitë e tij janë të prera sipas objektit të fotografuar, për të krijuar më shumë efekt. Ato janë ngjitur mbi gurë të marra nga pjesa e jashtme, ku nuk u gjetën trupa njerëzish, pranë paisjeve të përdorura nga zjarrfikësit. Dhe e gjithë salla është mbushur me objekte nga ajo zonë, plehra, pllaka, sende të shkatërruara, copëra qelqi dhe mermeri.

“Doja të ishte sa më realiste që të ishte e mundur. Doja që njerëzve t’u dukej sikur ishin aty ku u rrëzuan kullat. Mendoj se kjo i bën njerëzit të krijojnë një lidhje, të ngjashme me atë që krijova unë me shtëpinë e Ana Frankut në Amsterdam. Unë doja që njerëzit të ndjeheshin, siç u ndjeva unë atje”.

I pyetur se çfarë kishte ndjerë atje, zoti Suson thotë se ishte prekur dhe trishtuar jashtë mase dhe e kishte kuptuar plotësisht se çfarë është e keqja.

Fotografitë e zotit Suson janë krahasuar me ato të fotografit të Luftës Civile Matthew Brady. Fotografitë e tij dokumentojnë dhimbjen dhe rraskapitjen e ekipeve të shpëtimit, vendosmërinë e tyre. Shumë vetë humbën vëllezër, apo baballarë zjarrfikës, kur ranë kullat dhe disa madje nxorrën edhe trupat e të afërmve të tyre. Por muzeu i ri po tërheq më shumë vëmendjen për arturinat, sesa për pamjet.

Disa kritikë, mes së cilëve edhe kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën sesi i ka marrë zoti Suson objektet nga vendi i tragjedisë. Zoti Suson thotë se asnjë prej këtyre objekteve nuk u identifikua si pasuri personale e viktimave dhe disa i ishin dhënë nga zjarrfikësit, ndërsa të tjera ishin gjetur në plehra. Gary Suson thotë se paratë e siguruara nga biletat do t’u jepen gjashtë shoqatave bamirëse, përfshirë shoqatën e familjeve të 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG