Lidhje

Soren Jesen Petersen drejt Nju Jorkut


Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren Jessen Petersen udhëton sot për në Nju Jork ku do të takohet me zyrtarë të lartë përfshi të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për standartet, ambasadorin Kai Aide, ndërkohë që po sot në Vjenë takohen ministrat e pushtetit lokal të Kosovës dhe Serbisë, Lutfi Haziri dhe Zoran Lonçar, për të diskutuar rreth çështjeve të pazgjidhura nga lufta e vitit 1998-1999.

Një diplomat perëndimor u citua të ketë thënë se takimi është i rëndësishëm sepse është përpjekje e parë nga politikanët për të diskutuar drejtë për drejtë rreth çështjeve bazë.

Në një zhvillim tjetër, kryesia e parlamentit të Kosovës pritet të shqyrtojë në fillim të javës së ardhshme kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë për të thirrur në interpelancë në parlament, kryeministrin Bajram Kosumi.

Zhvillimet më të rëndësishme politike për Kosovën janë shpërndarë sot në një trekëndësh që përfshin Nju Jorkun, Vjenën dhe Prishtinën. Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara Sorren jessen Petersen udhëton për në Nju Jork për të marrë pjesë në një takim treditor të Kombeve të Bashkuara dhe për tu takuar me zyrtarë të lartë përfshi ambasadorin Kai Aide, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për standartet.

Ministri i pushtetit lokal të Kosovës Lutfi Haziri dhe homologu i tij serb Zoran Lonçar, takohen sot në Vjenë për të biseduar lidhur me decentralizimin në Kosovë dhe cështje të tjera teknike qe lidhen me poziten e pakicës serbëve në Kosovë. Paralel me këto zhvillime në Nju Jork dhe Vjenë, në Kosovë, forcat rezerviste të NATO-s kanë filluar të zbarkojnë për të marrë pjesë në stërvitjet njëmujore që do të zhvillohen këtu. 200 trupa shtesë gjermane marrin pjesë në fazën e parë të stërvitjes, që do të zhvillohet nga 20 shtatori deri më 20 tetor.

KFOR-i ka bërë të ditur se stërvitja ka qenë e planifikuar kohë më parë dhe nuk ka të bëjë me ndonjë kërcënim apo masë shtesë sigurie. Megjithatë, duket se UNMIK-u ka shtuar paralajmërimet për stafin e vet. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Nirazh Singh, I tha sot Zërit të Amerikës, se nuk mund të konfirmonte, por as të hidhte poshtë njoftimet se stafit të OKB-së në Kosovë i është kërkuar të mos lëvizë në orët e vona të natës në zonën e Drenicës.

Ndërkohë, në Prishtinë, qeveria e kryeministrit Bajram Kosumi, duket se ende do të ketë probleme. Kryesia e parlamentit pritet të mblidhet në fillim të javës tjetër, për të shqyrtuar kërkesën e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike për thirrjen e kryeministrit Kosumi në interpelancë. Kryesia e parlamentit duhet të shqyrtojë edhe propozimin e qeverisë për emërimin e tre anëtarëve në Këshillin e Agjencisë kundër korrupsionit.

Kryeministri Kosumi vazhdon punën pavarësisht se në media vazhdojnë të mbushen faqe të tëra me mundësitë për zëvëndësimin e tij dhe emrat e atyre që mund ta zëvëndësojnë. Zoti Kosumi u takua sot me Orsalia Kalantzopoulos, Drejtore dhe bashkërenduese rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, për të biseduar lidhur me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e angazhimit në projekte të reja.

Zhvillimet politike dhe ekonomike, përfshi këtu cështjen e integrimit të pakicës serbe në jetën e vendit, po shkojnë parallel me debatet lidhur me përgatitjet për bisedimet për statusin përfundimtar, duke krijuar një mozaik të qartë të problemeve me të cilat Kosova po përballet tani dhe do të përballet edhe në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG