Disa qindra pjesëtarë të komunitetit serbë në Gracanicë, rreth 5 kilometra larg Prishitnës, kanë mbyllur rrugën që lidhë Prishtinën me Gjilanin duke protestuar ndaj arrestimit të djeshëm të katër serbëve, të dyshuar për përfshirje në krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999.
Sipas autoriteteve ndërkombëtare, katër të arrestuarit dyshohet se në prill të vitit 1999, në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, kanë vrarë 17 shqiptarë. Protestuesit po kërkojnë lirimin e menjëhjershëm të të arrestuarve duke paralajmëruar vazhdimin e protestave.
Arrestimet e djeshme janë përshëndetur nga qeveria e Kosovës e cila thekson se një nga synimet dhe vlerat më të larta të demokracisë së pasluftës në Kosovë, është ndëshkimi i krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë në periudhën e luftës nga regjimi represiv i Sllobodan Milosheviçit dhe se dënimi i kriminelëve të luftës është parakusht për rivendosjen e mirëbesimit ndërmjet popujve, si dhe mundësi për të mësuar të vërtetën për luftën dhe tragjeditë që kanë ndodhur në Kosovë në fundshekullin e kaluar.