Lidhje

Shqipëri: Qeveria paraqet programin e reformës së sistemit të ri fiskal


Në Shqipëri, qeveria synon të realizojë një reformë rrënjësore të sistemit fiskal. Zëvendësministri i Financave Florian Mima, tha sot se do të realizohet një thjeshtim i menjëhershëm i listës së gjatë të taksave dhe tatimeve ndërsa sistemi do të orientohet drejt tatimeve të drejpërdrejta. Kështu, qeveria parashikon hartimin e një ligji për të ardhurat personale që praktikisht do të prekë çdo individ që realizon të ardhura

"I komplikuar, jo eficient, i pandershëm me tatimpaguesit dhe me një administrim të dobët e të korruptuar"- është cilësuar sot sistemi aktual tatimor i vendit nga zëvendësministri i Financave Florian Mima. I ftuar nga Dhoma amerikane e Tregtisë zoti Mima prezantoi objektivat dhe synimet e qeverisë së zotit Berisha lidhur me sisitemin fiskal. Ai u shpreh se do të synohet thjeshtimi I menjëhershëm I sistemit nga një listë e gjatë tatimesh dhe taksash në një listë të shkurtuar tatimesh kombëtare.

Sipas zëvendësministrit të Financave është momenti që Shqipëria detyrimisht të marrë një kthesë përsa i përket orientimit të saj, ku barra e tatimeve dhe taskave bie ose totalisht mbi konsumatorët, ose totalisht mbi 40 deri 50 mijë bizneset.

"Vizioni ynë është që numri i tatimpaguesve duhet të rritet ndjeshëm dhe në këtë përpjekje madhore ne do të hedhim hapin mjaft delikat, por mjaft të rëndësishëm për të drejtuar sistemin nga tatimet e drejtpërdrejta. Ne do të fillojmë të orientojmë sistemin në mënyrë që çdo shqiptar të ndjehet kontribues, tatimpagues", shpjegoi zëvendësministri.

Ndërhyrja kryesore do të realizohet nëpërmjet tatimit mbi të ardhurat personale që aktualisht sipas zotit Mima zbatohet në një nivel shumë të kufizuar, vetëm mbi pagat dhe kryesisht ato buxhetore. Idea e qeverisë është që shumë shpejt të hartohet një ligj I cili do të detyrojë që të paguajë çdo individ që realizon të ardhura: "Ky hap gjykojmë që do na e rrisë ndjeshëm nurmin e tatimpaguesve për të arritur nga 40 - 50 mijë në rangun e disa qindra mijërave dhe në një periudhë 7-8 vjeçare të shkojë në 1 deri 1.2 milionë tatimpagues".

Zoti Mima përmendi dhe lehtësirat fiskale të parashikuara në programin e qeverisë për bizneset që punësojnë një numër të caktuar punëmarrësish, për ato që punojnë për eksport, për riinvestimet si dhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e shtuar, aplikimin e saj në 6 përqind për energjinë si dhe përfshirjen e saj dhe në sektorin e ndërtimit. Zëvendësministri Financave premtoi edhe ndryshime të rëndësishme për akcizat dhe taksat doganore.

Për të gjitha këto qeveria shqiptare duket se do të duhet të negociojë fort me Fondin Monetar Ndërkombëtar qe deri tani ka këshilluar një politikë të matur fiskale e orientuar fillimisht drejt vjeljes së tyre dhe zgjerimit të bazës së tatueshme dhe më pas në uljen e taksave dhe tatimeve.

XS
SM
MD
LG