Lidhje

Nobelin në letërsi e fiton dramaturgu britanik Harold Pinter


Çmimin Nobel në letërsi e fitoi dramaturgu britanik Harold Pinter.

Duke shpallur çmimin sot në Stokholm, Akademia Suedeze e përshkroi zotin Pinter si autorin që e riktheu teatrin mbi elementet e tij bazë: me një hapësirë të pafund dhe dialog të paparashikuar, ku njerëzit janë në dorë të njëri-tjetrit.

Londinezi 75 vjeçar, djali i një rrobaqepësi hebre, është një nga dramaturgët më të njohur të Britanisë për krijime si "The Birthday Party" dhe "Caretaker". Zoti Pinter do të marrë më shumë se një milion dollarë që shoqërojnë çmimin.

Fituesi i çmimit Nobel të letërsisë Harold Pinter tha se ai u ndikua thellësisht në jetën e tij nga bombardimet e qyteteve britanike nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore. Shtypja dhe dhuna kanë qënë tema që shkrimtari u është kthyer shpesh në punën dhe aktivitetin e tij politik.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, ai ka shkruar më pak vepra letrare, por ka folur gjithnjë e më shpesh në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe çështjeve të tjera politike.

Dy vjet më parë, ai shkroi një përmbledhje poemash ku kritikonte luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Zoti Pinter, i lindur në londër në një familje hebre në vitin 1930, u evakua nga kryeqyteti britanik për t’i shpëtuar bombardimeve.

Më pas ai studio për dramë në Londër. Drama e tij e dytë “Ditëlindja”, e shkruar në vitin 1957 ishte fillimisht një dështim, ndonëse më pas u bë një nga pjesët teatrale më të luajtura.

XS
SM
MD
LG