Lidhje

Pakistan: Fillojnë të mbërrijnë ndihmat për viktimat e tërmetit


Në Pakistan mijëra vetë të mbetur pa strehë dhe të uritur që pas tërmetit të 8 tetorit, po marrin tani ndihma të dërguara me helikopterë, kamionë dhe karvane me kafshë të ngarkuara me artikuj, të cilët po mbërrijnë në fshatra të largët dhe të izoluar në Himalaje.

Shirat e rrëmbyer që vazhduan për dy ditë pezulluan fluturimet, por moti i mirë sot lejoi dhjetëra helikopterë të përshkojnë hapësirën ajrore mbi rajon. Punonjësit e ndihmave paralajmërojnë se mijëra vetë mund të vdesin brenda disa ditësh nga mungesa e ushqimit, tendave, batanijeve dhe ilaçeve.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq i thanë Zërit të Amerikës se ende ka rreth 30 qendra banimi në Kashmirin pakistanez ku helikopterët nuk mund të ulen dhe vazhdojnë të hedhin ndihma nga ajri. Ata thonë se banorët po përpiqen të ndërtojnë platforma provizore për t’u lejuar helikopterëve zbritjen.

Pas misioneve të vështira të ndihmave, punonjësit sjellin me vete rrëfime për vdekje dhe shkatërrim. Qeveria qendrore në Islamabad thotë se numri i të vdekurve ka kaluar 40 mijë vetë, por udhëheqësit e Kashmirit thonë se numri real është më i lartë. Ata shtojnë se ende ka vende ku nuk kanë filluar gërmimet nën rrënoja. Moti i keq dje detyroi Indinë të ndërpriste avionët me ndihma për në Kashmirin indian, ku më shumë se 1 mijë e 400 vetë kanë vdekur nga tërmeti.

XS
SM
MD
LG