Lidhje

SHBA: Mbështetja e publikut për Presidentin Bush bie në nivelin më të ulët deri më sot


Një anketë e kohëve të fundit e opinionit lë të kuptohet se mbështetja publike amerikane për Presidentin Bush vazhdon të bjerë dhe ka arritur nivelin më të ulët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Stephanie Ho, njofton se sondazhi u organizua në fund të një jave, për të cilën të dyja partitë kryesore politike pranojnë se ishte e keqe për Shtëpinë e Bardhë.

Rezultatet e anketës së përbashkët të rrjetit televiziv ABC dhe gazetës Washington Post tregojnë se vetëm 39 për qind e 600 personave të anketuar mendojnë se Presidenti Bush po bën punë të mirë.

Dhe 75 për qind thonë se besojnë që sinqeriteti dhe etika në qeveri kanë rënë nën Presidentin Bush.

Për sa u përket çështjeve specifike, sondazhi lë të kuptohet se shumica e amerikanëve mendojnë se ngritja e aktpadisë kundër ndihmësit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Lewis Libby, sinjalizon probeleme më të mëdha etike në administratën e Presidentit Bush.

Ndaj zotit Libby, i cili dha dorëheqjen nga posti i shefit të personelit të Nënpresidentit, u ngritur padia të premtëm në kuadër të procesit hetimor lidhur me çështjen se kush bëri publik identitetin e një operativeje të Cias, dy vjet më parë.

Gjatë një interviste në rrjetin televiziv ABC, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Harry Reid, tha dje se në vend që të lavdrojë zotin Libby, Presidenti Bush duhet t’i kërkojë falje popullit amerikan:

“Ai duhet të kërkojë ndjesë. Nënpresidenti duhet të kërkojë falje. Ata duhet t’i tregojnë të vërtetën popullit amerikan.”

Në të njëjtën kohë, Senatori Reid i bëri thirrje Presidentit Bush që të mos e falë zotin Libby nëse ai gjendet fajtor.

Në të njëjtin program treleviziv, senatori republikan, John Cornyn, tha se është tepër shpejt të flitet për amnesti për shkak se zoti Libby ende nuk është shpallur fajëstor për asgjë. Senatori Cornyn shtoi se çështja e zotit Libby nuk tregon për një përzierje më të gjerë të Shtëpisë së Bardhë:

“Ju e dini, theksoi Senatori Cornin, se këtu kemi të bëjmë me spekulime të shumta, me hamendje, me njerëz që aktualisht po përpiqeshin ta përdornin këtë çështje si armë politike kundër prsidentit. Unë mendoj, shtoi ai, se ata do të mbeten të zhgënjyer për faktin se duket që kjo çështje është e kufizuar në një individ të vetëm.”

Komenteve të Senatorit Cornin u bëri jehonë senatori republikan, Lindsi Graham, i cili theksoi në rrjetin televiziv CBS se në aktpadi përmendet vetëm zoti Libby. Mirëpo, në të njëjtën kohë, Senatori Graham i bëri thirrje administratës së Presidentit Bush të bëjë disa ndreqj, siç u shpreh ai, për sa i përket pranimit të përgjegjësisë për përgjigjen shumë të dobët federale ndaj Uraganit Katrina:

“Kjo, tha Senatori Graham, ishte një javë e keqe për Shtëpinë e Bardhë. Kandidatja e presidentit për anëtare të Gjykatës së Lartë u tërhoq, ndaj shefit të personelit të nënpresidentit u ngrit aktpadia dhe numri i amerikanëve të vrarë në Irak arriti në dy mijë. Por, e vërteta është, theksoi ai, se politikisht këto nuk janë probleme që nuk mund të kapërcehen.”

Ligjvënës të opozitës dhe të opozitës pajtohen se Shtëpia e Bardhë po kalon një moment kritik. Senatori demokrat, Charles Schumer, tha se nuk është optimist se rrethanat e tanishme do të sjellin përmirësime:

“Shtëpia e Bardhë ndodhet në një pikëkthesë të vërtetë. Deri tani, zyrtarët e administratës nuk kanë pranuar asnjë gabim. Kjo, theksoi ai, nuk është shenjë e mirë dhe as një qendrim i përshtatshëm.”

Senatori Schumer i bëri thirrje Presidentit Bush të mësojë nga ish Presidenti Ronald Reagan, për të cilin mendohet gjerësisht se e shpëtoi presidencën e tij duke folur publikisht rreth sknadalit Iran-Kontra.

XS
SM
MD
LG