Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, thotë se ka të dhëna që tregojnë se shpërthimet vdekjeprurëse të së shtunës në New Delhi, kanë lidhje me ekstremistët pakistanezë dhe i bëri thirrje Presidentit të Pakistanit, Pervez Musharraf, të marrë masa kundër veprimtarisë terroriste ndaj Indisë.
Zoti Singh pati një bisedë telefonike me Presidentin Musharraf, i cili i telefonoi për t’i shprehur ngushëllimet lidhur me shërthimet. Në këto sulme u vranë rreth 60 vetë dhe u plagosën më shumë se 150 të tjerë.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtëme pakistaneze tha më pas se nëse India nuk jep informacione, komentet e kryeministrit indian mbeten thjesht një akuzë. Gjenerali Musharraf u tha sot gazetarëve se Pakistani qendron krah për krah Indisë kundër këtyre sulmeve të ulta terrroriste, siç i quajti ai.
Për sulmet pothuajse të njëkohëshme në një autobuz dhe në dy tregje të mbushur plot njerëz, përgjegjësinë e mori Fronti Revolucionar Islamik një grup pak i njohur, që zyrtarët indianë thonë se ka lidhje me një organizatë të njohur separatiste në Kashmir. Një klerik pakistanez e themeloi grupin Lashkar-e-Toiba në vitet 1990.
Pakistani e ka nxjerrë këtë organizatë jashtë ligjit, por refuzon të dëbojë nga vendi udhëheqësin e tij, i cili kërkohet nga India në lidhje me një sulm të kryer në parlamentin indian në vitin 2001, ku u vranë 15 vetë. Ndërkohë, Delhi është në gjendje të lartë gatishmërie në prag të Divalit, festivalit të dritave, dhe Eid al-Fitrit, apo Bajramit, festa më e madhe në kalendarin mysliman.