Senati amerikan votoi kundër një propozimi të paraqitur nga demokratët për të zhvilluar hetime të pavarura rreth praktikave që përdor ushtria për të marrë në pyetje të ndaluarit që dyshohen për terrorizëm.
Me 43 vota pro dhe 55 kundër, Senati i drejtuar nga republikanët, e hodhi poshtë një amendament të propozuar nga demokratët që do të krijonte një komision të pavarur për të hetuar rreth praktikave të hetimit të ushtrisë. Komisioni do të krijohej në të njejtën formë, si ai që kreu hetimet për sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
Senatori Jay Rockefeller i Virxhinias Perëndimore, demokrati më i lartë në Komisionin e Zbulimit të Senatit, kërkonte që hetimet të ndaleshin ndër të tjera edhe në praktikën e dërgimit të të ndaluarve tek qeveri të huaja për t’u marrë në pyetje.
“Ka patur raporte të ndryshme ku individë të ndryshëm, që i janë dorëzuar një qeverie të huaj nga Shtetet e Bashkuara për t’u marrë në pyetje, janë torturuar. Veç problemeve etike dhe ligjore që shoqërohen me praktika të tilla, edhe vërtetësia e informacionit të siguruar nga këta të ndaluar është vënë në pikëpyetje në se deklaratat e tyre janë marrë duke përdorur forcën.”
Senatori Carl Levin, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Forcat e Armtosura, tha se një hetim i pavarur, do të ndihmonte për të përmirësuar imazhin e Amerikës në botë të dëmtuar nga skandali të të burgut Abu Ghraib. Fotografitë e trupave amerikane duke keqtrajtuar të burgosur në Irak tronditën botën.
“Ne kemi nevojë për një komisionin si i 11 shtatorit për t’i rikthyer vendit kredibilitetin. Është e rëndësishme për trupat tona, që të ketë besim tek Amerika për mënyrën se si i trajtojmë ata që ndalojmë. Ne kemi nevojë për mbështetjen e popujve në botë për luftën tonë kundër terrorizmit.”
Por kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura, senatori Republikan i Virxhinias, John Warner, tha se administrata e Presidentit Bush ka filluar tashmë të marrë masa, duke vënë në dukje se Departamenti i Mbrojtjes ka lëshuar një urdhëresë që synon forcimin e rregullave kundër keqtrajtimit të të ndaluarve gjatë marrjes në pyetje. Udhëzimi thekson se gjithë të ndaluarit duhet të trajtohen njerëzisht dhe se torturat fizike dhe mendore janë të ndaluara. Veçanërisht ndalohet përdorimi i qenve për të frikësuar të ndaluarit. Senatori Warner theksoi kundërshtimin e tij ndaj propozimit të demokratëve.
“Një komision i pavarur do t’u dërgonte mesazhin e gabuar forcave tona të armatosura se ne nuk kemi besim tek mënyra si e bëjnë ato punën e tyre, dhe do të dëmtonte seriozisht aftësitë tona për të siguruar informacione.”
Senatori Warner thotë se ka një sërë hetimesh që po kryhen ndaj mënyrës si trajtohen të ndaluarit. Por Senatori Levin tha se hetimet e mëparshme nuk janë marrë me rolin e CIA-s.
“Nuk është bërë ndonjëherë hetim për rolin e agjencive të zbulimit në marrjen në pyetje të të ndaluarve.”
Debati në Kongres bëhet pas botimit të një artikulli në gazetën Uashington Post ku thuhet se CIA ka disa burgje të fshehta në Evropën Lindore ku mbahen të ddyshuar për terrorizëm. Adminsitrata e presidentit Bush as e ka konfirmuar as e ka mohuar këtë njoftim.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Bill Frist dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dennis Hastert, po qarkullojnë një letër ku kërkohet fillimi i hetimeve nga Kongresi rreth atyre që e nxorrën informacionin për qendrat e burgimit.