Lidhje

Shkatërrimi i digave nga Katrina mund të ketë ndodhur nga gabime njerëzore


Hetuesit thonë se përmbytja e digave rreth qytetet New Orleans gjatë uraganit Katrina mund të ketë ardhur nga gabimet njerëzore dhe jo nga furia e ujrave të uraganit. Korpusi i inxhinierëve të ushtrisë amerikane, që i kishte ndërtuar ato dhe që është përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre po përpiqet të përcaktojë arsyet, tani që ka përballë një kërcënim të ri, uraganin Vilma në Florida.

Studimet mbi dështimin e sistemit për parandalimin e përmbytjeve në New Orleans nga agjenci të pavarura si Fondacioni Kombëtar i Shkencës, tregojnë se ka pasur probleme në projektimin e sistemit të cilat mendohet se çuan në shembjen e pritave.

Qyteti i New Orleansit ka sistemin e tij unik për parandalimin e përmbytjeve. Ky sistem, me pritat, digat dhe pompat, ishte ndërtuar dhe mirëmbahej nga Korpusi i inxhinierëve të ushtrisë amerikane.

Fillimisht, zyrtarët e Korpusit thanë se niveli i ujrave i kapërceu pritat, duke shkaktuar kështu përmbytjen. Por të dhënat më të fundit tregojnë se pritat që u shembën kishin themele të cekta. Disa ekspertë thonë se struktura prej betonarmeje e ngritur mbi një stresë të butë toke nuk e përballoi forcën e stuhisë.

Brent Blackwelder është president i grupit ambjentalist, Friends of the Earth, Miqtë e Tokës: “Të dhënat po vërtetojnë gjithnjë e më shumë se projektet dhe konstruksioni i pritave kanë patur difekte”.

Hetimet vazhdojnë. Zyrtarët e Korpusit thonë se ka mundësi që inxhinierët të kenë gabuar. Ata kanë tani në plan të ndërtojnë prita me themele më të thella, për të krijuar një bazament më të fortë. I krijuar nga Kongresi Kontinental në vitin 1775, Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë pati fillimisht si detyrë të fortifikonte brigjet. Ai luajti një rol të rëndësishëm në fushata të mëdha, nga Lufta Revolucionare në shekullin e 18-të deri në Luftën e Dytë Botërore dhe në luftën e Irakut.

Krahas punës në ushtri, politikanët donin që Korpusi të merrej edhe me projekte civile, si zbukurimi i Kapitolit në Uashington, hartat, ndërtimi i rrugëve dhe urave e kontrolli i përmbytjeve.

Për dekada me radhë, Korpusi ka shfrytëzuar pritat për mbrojtje nga përmbytjet në rrjedhën e poshtme të Misisipit. Një seri përmbytjesh të mëdha në fillim të shekullit të 20-të bëri të domosdoshme ndërtimin e digave, kapërderdhsave dhe rezervuareve për mbrojtje të mëtejshme. Korpusi, thotë gjeneral Don Riley, ka plane afat-gjata për përmirësimin e sistemin për kontrollin e përmbytjeve si dhe të shfrytëzojë alternativa të tjera, si zgjerimi i kënetave, që janë mbrojtëse të mira nga uraganet. Veprimtarët për mjedisin e mbështesin këtë ide.

Gjenerali Riley thotë se seria e fundit e uraganeve mund të jetë një sinjal për një mot edhe më të paqendrueshëm në dekadat që do të vinë. “Kemi hyrë në një periudhë uraganesh dhe cikli i tyre është 20 apo 25 vjeçar. Cikli i një moti të keq sapo ka filluar”. Nëse kishte nga ata që e vinin në dyshim këtë përfundim, Uragani Vilma me furinë e tij shkatërrimtare në Florida duhet të ketë mjaftuar për t’i bindur.

XS
SM
MD
LG