Ishte një ditë e përgjakshme sot në Irak, ku dy shpërthime me bombë shkaktuan vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve.
Sulmi më vdekjeprurës ndodhi në një restorant të Bagdatit që frekuentohej nga forcat policore dhe të sigurimit. Zyrtarët thanë se personi që kreu sulmin kishte një gjerdan me lëndë shpërthyese kur hyri në kafene dhe hodhi veten në erë ndërsa shumë oficerë ishin duke ngrënë mëngjes. Të paktën 33 vetë u vranë.
Al-Qaida në Irak e cila drejtohet nga terroristi Abu Musab al-Zarkawi mori përgjegjësinë për shpërthimin nëpërmjet një deklarate të paverifikueshme në internet.
Në veri të vendi, në qytetin Tikrit, shpërthimi i më makine bombë në afërsi të një qendre rekrutimi ushtarak vrau të paktën 7 persona.
Ndërsa në juglindje të vendit, ushtarët irakianë gjetën trupat e 27 personave pranë kufirit me Iranin. Të gjithë ishin të ekzekutuar.
Ushtria amerikane thotë se forcat amerikane dhe irakiane kanë filluar operacione spastrimi ndaj kryengritësve në qytetin Karabilah. Ky qytet ndodhet rreth dy kilometra të lindje të Husaybahs, ku filloi Operacioni Perdja e Çeliktë 6 ditë më parë.