Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, bëri thirrje për pajtim kombëtar gjatë një vizite të papritur në Irak, ndërkohë që shpërthimi i një makine bombë shkaktoi vdekjen e 5 vetëve në Bagdad.
Gjatë vizitës së tij të parë në Irak që nga ndërhyrja ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, zoti Anan shprehu mbështetjen për një propozim të Lidhjes Arabe për mbajtjen e një konference në Kajro mbi pajtimin kombëtar në Irak.
Zoti Anan tha në një konferencë shtypi në Bagdad, pas bisedimeve me Kryeministrin Ibrahim al-Xhafari, se pajtimi është absolutisht jetik për Irakun.
Shefi i OKB-së arriti ndërkohë që shpërthimi i një makine bombë goditi një zonë tregtare të kryeqytetit irakian.
Të premtën, sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, bëri një vizitë në Irak dhe u bëri thirrje irakianëve të lënë mënjanë dallimet sektare dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit tjetër.