Lidhje

Kosova dhe Mali i Zi, sfida për politikën e Serbisë


Ndërkohë që statusi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën dhe Malin e Zi do të jetë shumë shpejt subjekt diskutimesh, politikanët serbë mund të jenë duke hyrë në një fazë të re e të paparashikueshme

Në Serbi, koalicioni reformist i Kryeministrit Vijosllav Koshtunica vazhdon të qendrojë në pushtet për shkak se ka mbështetjen jozyrtare të Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit të akuzuar për krime lufte. Por, qeveria do të përballet shumë shpejt me prova kritike ndërkohë që përfytet me marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe Malin e Zi.

Ndërkohë që negociatat e organizuara nga Kombet e Bashkuara mbi statusin e ardhshëm të Kosovës pritet të fillojnë shumë shpejt, Kryeministri Koshtunica është në procesin e formulimit të pozitës së qeverisë së tij. Edhe parlamenti po përgatitet të hapë debatin rreth çështjes së Kosovës.

Megjithëse formalisht është ende pjesë e Serbisë, Kosova është administruar nga Kombet e Bashkuara për gjashtë vjet, që kur forcat e Natos dëbuan trupat serbe nga krahina. Shumica shqiptare prej 95 për qind e Kosovës kërkon pavarësinë dhe fuqitë e mëdha janë tani më afër pranimit të kësaj mundësie.

Por në Serbi, Kosova është një çështje shpërthyese politike. Asnjë nga partitë kryesore politike të Serbisë nuk është e gatshme as të diskutojë rreth humbjes së mundshme të Kosovës, që sipas tyre është djepi i Krishterimit Ortodoks të Serbisë. Morëpo privatisht, politikanët serbë pranojnë që ka shumë të ngjarë që Kosova do të shkëputet nga Serbia. Fuqitë perëndimore të përfshira më shumë në negociatat e ardhshme ngulin këmbë që shqiptarët e Kosovës duhet të garantojnë të drejtat e pakicës dhe të lejojnë frekuentimin e faltoreve fetare serbe.

Edhe Mali i Zi është problem për Koshtunicën. Ky territor i vogël dhe me popullsi të rrallë është aktualisht i lidhur me Serbinë në një federatë të lirshme, por ai shtyp monedhën e tij dhe gëzon autonomi të gjerë. Qeveria malazeze kërkon pavarësi të plotë për republikën malore bregdetare dhe pritet që vitin tjetër Mali i Zi të mbajë një referendum mbi pavarësinë.

Analisti politik, Xhejms Lion, përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd, thotë se gjasat janë që Mali i Zi të shkëputet nga Serbia. Ai pajtohet me shumicën e analistëve, të cilët parashikojnë që edhe Kosova do të fitojë një lloj pavarësie.

Analisti politik dhe ekonomik, Mirosllav Prokopijeviç, parashikon që humbja e të dy territoreve mund të përforcojë elementin nacionalist në politikat e Serbisë. Ai thotë se kur të zhvillohen zgjedhjet në Serbi, ndoshta gjatë vitit të ardhshëm, Partia nacionaliste ekstreme Radikale do të vijë në pushtet:

“Kjo është e sigurt, për shkak se sipas të gjitha anketave të opinionit, ajo gëzon mbështetjen e 35 për qind të qytetarëve dhe pasi sipas sistemit tonë të përfaqësimit proporcional, me një pjesëmarrje prej 45 për qind ose më pak në zgjedhje, Partia Radikale do të ketë mundësinë të formojë vetëm qeverinë. Kjo do të thotë, theksoi analisti Prokopijeviç, se radikalët do të mbajnë të paktën 126 nga 250 vendet në parlament.”

Radikalët, udhëheqësi i të cilëve, Vijosllav Sheshel, është hedhur në gjyq në Hagë nën akuzat për krime lufte, kanë qenë prej kohësh aleatë të ish presidentit të diskredituar Sllobodan Millosheviç.

Zoti Koshtunica, një avokat kushtetues, ka qeverisur në krye të një koalicion shumëpartiak të përçarë. Si shumica e politikanëve reformistë, ai kërkon që një ditë Serbia të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Negociatat paraprake kanë filluar, por Evropa dhe Shtetet e ashkuara e kanë kushtëzuar përparimin e mëtejshëm drejt integrimit në institucionet perëndimore me ekstradimin brenda këtij vitit të Ratko Mlladiçit, ish komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, ndaj të cilit janë ngritur akuza për krime lufte. Mendohet se zoti Mlladiç ndodhet i fshehur në Serbi.

XS
SM
MD
LG