Kosova ka qenë sot tema kryesore e bisedimeve mes ministrit të jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj dhe atij të Unionit Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkovic në Strasburg ku ka zhvilluar punimet asambleja parlamentare e Këshillit të Europës.
Në njoftimin zyrtar të ministrisë shqiptare të jashtme thuhet se takimi ka qenë i gjatë dhe se të dy ministrat kanë mbrojtur hapur pikëpamjet e secilës palë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.
Pikëpamje të cilat siç dihet janë shumë larg njëra tjetrës. Tirana zyrtare, pavarësisht formulimeve, i është përmbajtur idesë së pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim është mbështetur dhe në tekstin e një rezolute që pritet të miratohet dhe nga parlamenti shqiptar.
Megjithë dallimet e dukshme për këtë çështje, Tirana ka këmbëngulur në nevojën e forcimit të bashkëpunimit dypalësh me Beogradin. Dhe kjo është theksuar edhe në takimin e sotëm ky të dy ministrat e jashtëm kanë rënë dakort që marrëdhëniet të zgjerohen pavarësisht pozicioneve të ndryshme për të ardhmen e Kosovës.
Takimi i sotëm është i dyti mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Unionit Serbi-Mali i zi, pas atij të shtatorit në Nju Jork, gjatë asamblesë së Kombeve të Bashkuara.