Lidhje

Shqipëri: Qeveria paraqet projektbuxhetin për vitin e ardhshëm


Pas shumë kritikave të opozitës se janë tejkaluar afatet për hartimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, qeveria bëri sot miratimin e tij. Kryeministri Sali Berisha bëri prezantimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të shtetit duke deklaruar se ai plotëson angazhimet dhe premtimet elektorale që e djathta dha për zgjedhjet e 3 korrikut.

Kryeministri Berisha deklaroi se do të ketë një rritje të ndjeshme të pagave por pa përcaktuar se kur do të fillojë kjo rritje, datë e cila sipas tij do të fiksohet në bisedimet me sindikatat: "Pagat e arsimtarëve në këtë vit buxhetor do të njohin rritje prej 20%, pagat e punonjësve të shëndetësisë do të kenë një rritje prej 20%, pagat e infermierëve do të kenë një rritje 25%, pagat e punonjësve në varësi të ministrive do të kenë një rritje 15%, pagat e punonjësve të institucioneve qendrore jo të shërbimit civil do të kenë një rritje 5 – 15%. Të gjitha pensionet e ulta në fshat dhe në qytet do të kenë rritjen korresponduese të pagave, ndërsa pagat mbi mesataren do të kenë një rritje prej 5%. Kjo është rritja më e madhe e pagave dhe e pensioneve që nga viti ’96".

Kryeministri sqaroi se kjo rritje e pagave dhe pensioneve nuk është realizuar nëpërmjert rritjes se taksave, disa prej të cilave kanë pësuar ulje, por nëpërmjet shkurtimeve drastike të shpenzimeve të zyrtarëve. Zoti Berisha deklaroi se do të ketë një rritje prej 30 përqind të investimeve publike, dhe 50 përqind financimi i fondeve për qeveritë vendore: "Risi tjetër e këtij buxheti është se ka një rritje prej 50% të financimit të fondit për qeveritë vendore. Natyrisht, nuk do të mund ta përdorin më për zyra. Do të kalojë, siç ka vendosur ministri i Financave, e tëra në investim, rrugë, kanale, ujë për qytetet dhe komunat e vendit. Ka një rritje, jo ajo që do të dëshironim sepse është skemë e vjetër, por të paktën që tregon përparësitë tona në investimet për arsimin me 22% dhe shëndetësinë me 18%".

Sipas kryeministrit buxheti për vitin 2006 do të mbështesë rritjen e mirëqënies së qytetarëve, punësimin e tyre dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike, por ai nuk tha se sa parashikohet të jetë kjo rritje, e cila sipas fondit monetar pritet të jetë në nivelin e 5 përqind, pra 1 përqind më e ulët se dy vitet e funit për shkak të krizës energjetike. Po ashtu në preznatimin e kryeministrit nuk kishte parashikime as për nivelin e inflacionit.

Në hartimin e buxhetit qeveria është kushtëzuar nga Fondi Monetar i cili ka kërkuar të shohë kryesisht se çfarë do të ndodhë me administrimin e të ardhurave-një pikë e dobët e administratës shqiptare në gjithë këto vite. Megjithatë pak ditë më parë ministri i Financave ka premtuar se në qershor do të ketë një buxhet shtesë.

XS
SM
MD
LG