Lidhje

Rajs përballë pyetjeve për praktikat e trajtimit të të dyshuarve për terrorizëm


Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs vazhdon të përballet me pyetje për praktikat që ndjek personeli amerikan në trajtimin e të dyshuarve për veprimtari terroriste. Gjatë qëndrimit në Ukrainë, në kuadër të turneut që po zhvillon në Evropë, zonja Rajs theksoi përsëri se Shtetet e Bashkuara nuk i tolerojnë torturat apo çdo formë keqtrajtimi të të burgosurve.

Përsëri sot Sekretarja Rajs u doli në mbrojtje politikave amerikane për marrjen në pyetje të të ndaluarve duke thënë se asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk lejohet të përdorë metoda çnjerëzore.

Më parë administrata e presidentit Bush pat thënë se ndalimi i metodave çnjerëzore dhe poshtëruese nuk përfshinte amerikanët që veprojnë jashtë Shteteve të Bashkuara. Në praktikë kjo nënkuptonte se punonjësit e CIA-s mund të përdorin në burgjet jashtë vendit metoda që janë të palejueshme brenda Shteteve të Bashkuara.

Sekretarja Rajs u përqëndrua në veçanti në sqarimin se politikat përfshijnë çdo pjesëtar të personelit amerikan kudo që të ndodhet: Në bazë të politikës amerikane, detyrimet e Shteteve të Bashkuara në përputhje me Konventën kundër Torturave, të cilat ndalojnë trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues, mbulojnë aktet e personelit amerikan si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë vendit. Këto komente zonja Rajs i theksoi pas takimit me presidentin e Ukrainës Viktor Jushçenko.

Në Evropë vazhdojnë të kenë jehonë akuzat se Shtetet e Bashkuara përdorin torturat për të nxjerrë informata nga të ndaluarit. Këto akuza kanë zhvendosur vëmendjen nga pikësynimi kryesor i vizitës, që është forcimi i lidhjeve me aleatët evropianë, pas tensioneve që shkaktoi ndërhyrja në Irak.

Ndalesa e Sekretares amerikane të Shtetit në Ukrainë kishte pjesërisht synim të shërbente si mbështetje e Shteteve të Bashkuara për presidentin Jushçenko, një vit pas ardhjes së tij në pushtet me revolucionin e Portokalltë. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, zonja Rajs e cilësoi Ukrainën si një partnere strategjike dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë këtë republikë ish-sovjetike në rrugën e reformave.

Zonja Rajs shprehu gjithashtu shqetësim për projektligjin e ri rus që synon të kufizojë veprimtarinë e organizatave joqeveritare: Shpresojmë se qeveria ruse do ta kuptojë rëndësinë që kanë organizatat joqeveritare për një klimë të qëndrueshme demokratike. Demokracia ka në themel zgjedhjet dhe ndërtohet mbi parime si shteti ligjor dhe liria e fjalës, por edhe në aftësinë e qytetarëve për t’u organizuar lirisht dhe për të ndikuar në drejtimin e qeverisë.

Gjatë qëndrimit në Ukrainë zonja Rajs vizitoi edhe Universitetin Shtetëror të Kievit, ku iu dorëzua një diplomë nderi, para udhëtimit në Belgjikë, për një vizitë në selinë e Natos në Bruksel.

XS
SM
MD
LG