Zyrtarët nigerianë thanë se 103 persona vdiqën sot kur një aeroplan pasagjerësh u rrëzua gjatë uljes në qytetin jugor të Port Harkurt.
Media vendore njoftoi se 110 persona ishin në bordin e aeroplanit, i cili me sa duket u rrëzua nga koha e keqe dhe mori flakë kur ndeshi në tokë. Dëshmitarët thonë se disa të mbijetuar kishin arritur të dilnin nga mbeturinat e aeroplanit. Në aeroplan mendohet të kenë qenë shumë nxënës të shkollës së mesme. Aeroplani po sillte pasagjerë nga kryeqyteti Abuxha, rreth 500 kilometra në veri të qytetit.
Zyrtarët vendorë po zhvillojnë hetimet. Industria nigeriane e aviacionit është kritikuar për rrëzimet e fundit që kanë shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve.
Në tetor, një aeroplan i kompanisë vendore Belview Airlines u rrëzua pasi u nis nga qyteti Lagos, duke vrarë 117 veta. Shkaku u rrëzimit nuk është ende i qartë. Dy persona vdiqën në nëntor kur një aeroplan privat u rrëzua në qytetin Kaduna.