Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton mbajtjen në fuqi të Aktit Patriot


Dhoma e Përfaqësuesve votoi në favor të ripërtëritjes së klauzolave kryesore të ligjit kundër terrorizmit të njohur si Akti Patriot. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve i hap rrugën një debati më të vështirë në Senat, mbi ligjin e miratuar me shumicë dërrmuese nga Kongresi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Ndërsa afrohej 31 dhjetori, data kur skadonte afati për klauzolat kryesore të Aktit Patriot, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të ripërtërirë ligjin që Presidenti Bush e ka quajtur instrumentin më të rëndësishëm të qeverisë për të parandaluar sulme terroriste në të ardhmen.

Prej muajsh kanë filluar debatet, ndërsa demokratët po kërkojnë ndryshime për të garantuar një mbrojtje më të madhe të lirive civile.

Republikanët janë shprehur se zgjatja e afatit të ligjit për tre muaj, siç kishin kërkuar demokratët dhe disa republikanë që të lihej më shumë kohë për të debatuar mbi disa klauzola që kanë ngjallur polemika, do t’i ekspozonin amerikanët para akteve të reja terrorizmi. Ja ç’thotë ligjvënësi republikan James Sensebrenner:

“Nëse do të lejonim Aktin Patriot të shfuqizohej, do të ishte një favor për terroristët, sepse ata do të ishin në gjendje të shfrytëzonin të gjitha dobësitë e sistemit tonë ligjor që u dha mundësinë të kryenin sulmet e 11 shtatorit 2001”.

Demokratët reaguan duke thënë se megjithë ndryshimet për të cilat kanë rënë dakord përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, legjislacioni për përtëritjen e Aktit Patriot gjithsesi i jep qeverisë shumë kompetenca me të cilat ajo mund të abuzojë. Nancy Pelosi është udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Të gjithë ne jemi dakord që punonjësve të ruajtjes së rendit t’u jepen instrumentat për të luftuar terrorizmin. Megjithatë, kjo duhet duke ruajtur balancën mes sigurisë dhe lirive civile dhe duke e pranuar që jo të gjitha instrumentat që duan oficerët e ruajtjes së rendit, janë mjete për të cilat ata kanë nevojë ligjërisht”.

Një kompromis mes dy dhomave të Kongresit që u deklarua javën e kaluar, favorizonte variantin e Senatit për përtëritjen e klauzolave kryesore të Aktit Patriot.

Mes 16 klauzolave, dy që kanë lidhje me përgjimet dhe urdhra të posaçme të gjykatës për të marrë të dhëna nga bizneset, bibliotekat dhe libraritë do t’u zgjatet afati për katër vjet.

Administrata e Presidentit Bush tha se i ka marrë në konsideratë shqetësimet e ligjvënësve për liritë civile, duke shtuar mbi 30 masa mbrojtëse.

Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales foli në Kongres, pak para se Dhoma e Përfaqësuesve të ripërtëriste ligjin.

“Aty parashikohen edhe masa të tjera mbrojtëse për liritë civile që ne mendojmë se janë të rëndësishme. Por ligji pasqyron një qëndrim, sipas së cilit Departamenti i Drejtësisë mund të vazhdojë të bëjë punën e tij për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të vendit”.

Ripërtëritja e klauzolave të Aktit Patriot pritet të hasë më shumë vështirësi në Senat, sesa në Dhomën e Përfaqësuesve.

Senatorët demokratë, së bashku me disa republikanë janë ankuar se legjislacioni vazhdon t’i lërë në dorë kompetenca të tepërta qeverisë për të kontrolluar informacione private për jetën e njerëzve.

Menjëherë pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Presidenti Bush nxorri një deklaratë ku nxiste senatin që ta miratonte ligjin me shpejtësi, duke thënë se në luftën kundër terrorizmit, nuk mund të lejohej që vendi të mbetej pa Aktin Patriot as edhe për një moment të vetëm.

XS
SM
MD
LG