Lidhje

Rakipi: Pakësimi i mbështetjes së shqiptarëve për anëtarësim në BE lidhet me zhgënjimin ndaj premtimeve të politikanëve


Sipas një sondazhi të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Shqipëri, vihet re një tendencë në rënie e mbështetjes së shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për të diskutuar mbi sondazhin, Zëri i Amerikës intervistoi Drejtorin e Institutit, zotin Albert Rakipi.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, në këtë rënie të mbështetjes për anëtarësim në BE sa ka ndikuar zhgënjimi i krijuar nga premtimet e bujshme të partive për efekte elektorale dhe një realiteti të ndryshëm që ofron procesi i integrimit, pasi në Shqipëri pothuajse nuk është folur për kostot e këtij procesi?

Albert Rakipi: Megjithëse kemi një rënie prej gati 20 për qind të mbështetjes për anëtarësimin potencial të Shqipërisë në BE, unë do të thoja se përsëri kjo është një mbështetje popullore. Pra, duke patur një shifër 83 për qind të favor të anëtarësimit, do të thoja se kjo përsëri është një përqindje e lartë, një mështeteje popullore. Kjo përkon edhe me trendin në fakt të të gjitha vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që ose ju bashkuan Bashkimit Evropian vitet e fundit, ose janë në proces kohët e fundit për në Bashkimin Evropian. Por sigurisht, që në këtë reduktim të mbështetjes, e cila megjithëse mbetet popullore, mendoj se prapë është kritike dhe duhet vlerësuar nga aktorët vendimmarrës në Shqipëri. Sigurisht, që ka ndikuar mjaft lufta e brendshme politike në Shqipëri dhe dështimi për një sërë reformash që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionon shteti, me mënyrën se si funksionon demokracia në pikëpamjen e zgjedhjeve dhe adresimin e një sërë çështjesh të sigurisë, të krimit të organizuar, adresimin e çështjeve të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, si një vëzhgues i afërt i procesit të integrimit, cili është sipash jush fakti kryesor që ka penguar një ecuri të shpejtë të Shqipërisë në procesin e negociatave, duke qenë se të paktën krahasuar me vendet e tjera të rajonit, këto negociata kanë zgjatur për më shumë se tre vjet?

Albert Rakipi: Në fakt është e vërtetë, që negociatat për marrëveshjen e asocim-stabilizimit po vazhdojnë për një kohë relativisht të gjatë në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera, për shembull me Maqedoninë. Në fakt, duhet pranuar se Shqipëria ka një të kaluar paksa të ndryshe qoftë edhe nga vendet e tjera të ish-federatës jugosllave. Megjithëkëtë, arsyeja e këtij procesi të ngadaltë, do të thoja që ka krijuar edhe një lloj zhgënjimi tek shoqëria shqiptare, duhet kërkuar para së gjithash tek politikat e brendshme të vendit, pra tek niveli i ulët i zhvillimit të reformave në pikëpamjen politike, që kanë të bëjnë me demokracinë, me zgjedhjet. Ne e dimë se gjatë 15 vjetëve të fundit, stabiliteti politik dhe për pasojë, edhe çështje të sigurisë, edhe zhvillimi ekonomik i vendit është goditur rëndë nga si të thuash, pamundësia dhe shkalla e ulët e zbatimit dhe funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Nuk duhen patur parasysh faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me rajonin dhe unë gjithësesi, mendoj se në një farë mënyre, shkalla e ulët e implementimit të reformave të brendshme janë faktori kryesor i procesit të ngadaltë të integrimit evropian. Aktualisht ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm, dua të them Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit, në një moment me të vërtetë delikat, sepse është krejtësisht e vërtetë që forca shtytëse e riorganizimit të forcave në Ballkan, përfshirë edhe në Shqipëri, pavarësisht nga fakti se këtu procesi i riorganizmit të shtetit është i ndryshëm nga vende të tjera në Ballkan. Pra, forca kryesore shtytëse ka qenë perspektiva evropiane dhe unë do të besoja shumë që nga njëra anë, aktorët politikë në Shqipëri, partitë politike dhe institucionet e tjera shqiptare do të punojnë për të përmbushur, siç thuhet në gjuhën e Bashkimit Evropian, detyrat e shtëpisë, por nga ana tjetër, mendoj se është në mënyrë kritike e rëndësishme mbjatja gjallë e një perspektive evropiane për vendet e rajonit, përfshi Shqipërinë, në rast se natyrisht, BE do të dëshironte stabilitetin në një pjesë të trazuar, siç është Ballkani.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, Komisioni Evropian është shprehur tashmë se synon të kërkojë nënshkrimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit. Por kjo do të kërkojë edhe votën e të gjitha vendeve anëtare. A mendoni se kjo do të jetë një hallkë që do kapërcehet lehtë apo mund të jetë e vështirë duke patur parasysh edhe skepticizmin e disa vendeve të caktuara rreth zgjerimit të BE?

Albert Rakipi: Unë besoj se Shqipëria do ta nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndoshta në pranverën e ardhshme. Është një proces ndoshta i mbyllur nga pikëpamja teknike dhe pavarësisht se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shipërisë në pikëpamjen e integrimi evropian, por megjithëkëtë, prova e vërtetë do të jetë zbatimi i kësaj marrëveshjeje. Mendoj se nuk ka ndonjë arsye që vendet anëtare të BE të hezitojnë që ta inkurajojnë Shqipërinë të marrë vendimin që ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Por unë mendoj që prova më e rëndësishme për të ardhmen e të gjithë rajonit dhe jo vetëm të Shqipërisë, natyrisht, do të varet nga vullneti politik i Brukselit për hapat e mëtejshëm. Kjo jo vetëm për faktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, sepse siç e dimë, kjo nuk do të thotë automatikisht se këto vende, përfshirë Shqipërinë do të bëhen kandidate për anëtare të BE-së. Ato janë vetëm potencialisht kandidate dhe do të shpresoja shumë që samiti i sotëm në Bruksel të jepte sinjale të qarta, duke u dhënë përgjigje dy pyetjeve, dy çështjeve mjaft të rëndësishme që kanë qenë përfshirë në axhendën e sotme të samitit në Bruksel: e para është një përgjigje pozitive për Maqedoninë, për të parë statusin e vendit kandidat. Ky do të ishte një inkurajim shumë i madh edhe për vendet e tjera, që shpresojnë të marrin të njëjtin status dhe së dyti, çështja e buxhetit për 7 vitet e ardhshme. Në qoftë se do të kthejnë një përgjigje për “Jo” të qartë për këto dy çështje, atëhere do të ketë një dekurajim më të madh për shoqëritë e vendeve ballkanike, për elitat e tyre politike dhe kjo mendoj se do të ishte e kushtueshme për stabilitetin dhe prosperitetin e këtij rajoni dhe siç thashë, integrimi evropian është forca shtytëse e riorganizimit të shteteve.

XS
SM
MD
LG