Lidhje

Irak: Vazhdon numërimi i votave


Numërimi i votave vazhdon në Irak, ku dhuna sporadike nuk arriti të pengonte votimin historik për parlamentin e ri katërvjeçar.

Në Irakun perëndimor, ku është e përqendruar kryengritja, problemi kryesor ishte sasia e pamjaftueshme e fletëve të votimit, për shkak të pjesëmarrjes së lartë të sunive që në pjesën më të madhe i boikotuan zgjedhjet e kaluara.

Zëdhënësi i Komisionit të zgjedhjeve Farid Ayar tha se ishin bërë disa ankesa për procesin e votimit, që zyrtarët do t‘i shqyrtonin. Ai tha se do të duheshin ndoshta dy javë, ose më shumë për të nxjerrë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për parlamentin me 275 vende.

Në Washington, Presidenti Bush e quajti votimin, një hap të madh përpara drejt një Iraku demokratik që mund të mbajë dhe mbrojë veten.

Ndërsa komandanti i forcave amerikane vlerësoi punën e forcave irakiane për të mos lejuar dhunë gjatë votimeve.

Zyrtarët irakianë thanë se dy persona vdiqën dhe tre u plagosën në akte dhune pas zgjedhjeve.

Pjesëmarrja në votim ishte ndoshta më shumë se 60 përqind të votuesve të regjistruar të cilët morën pjesë në zgjedhjet e para kombëtare në muajin janar dhe në referendumin e kushtetutës në tetor. Në zgjedhje morën pjesë më shumë se 6 mijë kandidatë nga 300 parti të ndryshme politike, për të zënë një vend në parlamentin me 275 vende. Pjesëmarrja e sunive në këto zgjedhje dhe rritja e popullaritetit të ish-kryeministrit Ajat Allaui, mund sigurojë një alternativë më laike dhe nacionaliste për Aleancën e Bashkuar e cila ka përkohësisht pushtetin.

Megjithë të shtënat sporadike, tanket që patrullonin zhurmshëm dhe helikopterët që fluturonin mbi qytet, atmosfera në kryeqytetin irakian në ditën e zgjedhjeve duke u krahasuar me ato të mëparshmet, ishte festive.

Familjet shkuan së bashku në qendrat e votimit. Biznesmeni Nabil Hal Haxhnaj shkoi në këmbë në qendrën e votimit së bashku me gruan dhe motrën e tij, në lagjen me shumicë shiite Karrada. Bashkëshortja dhe motra e tij kishin mbuluar flokët në mënyrë tradicionale myslimane, por zoti Haxhnaj thotë se ai do të votojë për koalicionin e udhëhequr nga ish-kryeministri me pikëpamje më laike Ajat Allaui.

“Mendoj se ai zoti Allaui do të ketë më shumë sukses tek masat e sigurimit, tha zoti Haxhnaj dhe nuk do të krijojë një ndarje midis sunijve, shiitëve dhe të krishterëve”.

Por bashkëshortja e tij, Hoda Abas, ka një mendim tjetër.

“Unë mbështes Aleancën e Bashkuar Irakiane. Ata janë shiitë dhe vuajtën më shumë nën regjimin e Sadam Huseinit, kështu që meritojnë të marrin pushtetin.”

Mendimet e ndryshme të kësaj familjeje përfaqësojnë problemet më të mëdha me të cilat përballen votuesit irakianë. Duhet që vendi të jetë një nga shtetet laike të botës arabe, apo duhet të shkojë drejt një rruge më pranë ideve islamike.

Gjithashtu siguria luan një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje dhe irakianët kritikojnë kryeministrin Ibrahim Xhafari i cilë është anëtar i Aleancës së Bashkuar Irakiane, për punën e tij pa sukses për të frenuar kryengritësit.

18-vjeçari Xhafer Saber Fudlik, student në fakultetin e teknologjisë në Bagdad thotë se do të votojë për ish-kryeministrin Ajat Allaui.

“Në kohën kur zoti Allaui ishte kryeminister sistemi i sigurimit ishte më i mirë.”

Në një qendër tjetër votimi rreth 1 kilometër larg, punonjësit e zgjedhjeve veprojnë për të pajisur me fletëvotimi votuesit që paraqiten për të hedhur votën në 6 kabinat e votimit. Në këtë pjesë të Bagdadit duket se numri i fltetëve të votimit është i mjaftueshëm për të gjithë votuesit. Ndërsa në disa zona me shumicë suni, ku pjesëmarrja ishte shumë më e madhe nga sa pritej, disa qendra vitimi nuk kishin një numër të mjaftueshëm fletëvotimi.

Pjesëmarrja e sunijve në këto zgjedhje ka bërë që qeveria amerikane dhe ajo irakiane të shpresojnë se sekti fetar i cili është edhe kolona vertebrale e kryengritjes mund të afrohet në procesin politik. Sunijtë bojkotuan zgjedhjet e para kombëtare të 31 janarit, që solli mënjanimin e tyre nga procesi për hartimin e kushtetutës dhe vendime të tjera të rëndësishme politike.

XS
SM
MD
LG