Lidhje

Frank Wisner emërohet përfaqësues i Uashingtonit për bisedimet e statusit të Kosovës


Shtetet e Bashkuara emëruan ambasadorin Frank Wisner si përfaqësues të posaçëm për bisedimet për statusin e Kosovës. Njoftimin e bëri dje Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs përmes një deklarate për shtypin.

Ambasadori Wisner, thotë zonja Rajs, do t’i ofrojë ndihmën amerikane të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, në përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar midis udhëheqësve shqiptarë e serbë për të ardhmen e Kosovës.

Sekretarja e Shtetit u bën thirrje palëve të hyjnë në bisedime me vullnet të mirë, për të arritur një marrëveshje për të ardhmen e Kosovës. Uashingtoni, thekson zonja Rajs, së bashku me vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, synon arritjen e një zgjidhjeje që t’i shërbejë sigurisë për popujt e Ballkanit dhe ta afrojë më tej rajonin drejt integrimit me strukturat Euro-Atlantike.

Ambasadori Wisner është një diplomat me përvojë, me një karrierë mbi 30 vjeçare. Ai ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkluara në Indi, Filipine, Egjipt dhe Zambia. Po ashtu ai ka mbajtur postin e Nënsekretarit të Shtetit për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare dhe të Nënsekretarit të Mbrojtjes për Politikë.

XS
SM
MD
LG