Lidhje

Presidenti Bush në mbrojtje të Aktit Patriot


Presidenti Bush tha se është e pafalshme që demokratët e opozitës po bllokojnë ripërtëritjen e ligjeve kundër terrorizmit, të cilat u miratuan fillimisht pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York dhe në Washington.

Presidenti Bush thotë se riautorizimi i ligjeve kundër-terrorizmit është një cështje që ka të bëjë me mbrojtjen e Amerikës nga akte të tjera dhune. “Terroristët ende duan të na godasin përsëri. Ka një armik që rri i fshehur, një grup i rrezikshëm njerëzish, që duan të dëmtojnë popullin amerikan. Ne duhet të kemi mjetet e nevojshme për të mbrojtur popullin amerikan”, tha presidenti.

Presidenti Bush thotë se këto ligje, të njohura si Akti Patriot, kanë qënë një mjet i efekshëm në parandalimin e sulmeve në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa disa prej këtyre ligjeve do të skadojnë në fund të vitit, presidenti thotë se kërcënimet terroriste nuk do të marrin fund. Demokratët po bllokojnë një votim përfundimtar mbi këto ligje për shkak të shqetësimeve rreth mbrojtjes së lirive civile.

Presidenti Bush thotë se Akti Patriot i mbron këto të drejta dhe se është gabim që demokratët luajnë me politikën. “Ky pengim i procesit është i pafalshëm. Senatorët që pengojnë riautorizimin e Aktit Patriot duhet ta kuptojnë se skadimi i këtij ligji jetik do ta verë në rrezik Amerikën dhe do të na lërë në një pozitë më të dobët në luftën kundër vrasësve brutalë.”

Presidenti Bush u bëri gjithashtu thirrje senatorëve të miratojnë një projekt-ligj për shpenzimet e mbrojtjes prej 450 miliardë dollarësh, i cili përfshin fonde për përgatitjet për një epidemi nga gripi i shpendëve dhe përpjekjet e rindërtimit në Gjirin e Meksikës.

Nën-presidenti Dick Cheney i dha fund para kohe një udhëtimi në Azinë jugore dhe Lindjen e Mesme për t’u kthyer në Washington në rast se vota e tij nevojitet për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të votimit në senatin me 100 anëtarë.

XS
SM
MD
LG