Lidhje

Këshilli i Sigurimit: Rezolutë për vazhdimin e hetimeve rreth vrasjes së Rafik Haririt


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë për vazhdimin e hetimeve rreth atentatit kundër ish kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri.

E sposorizuar nga Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, rezoluta në fjalë kërkon që Siria të bashkëpunojë me komisionin hetues. Rezoluta i përgjigjet gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejt kërkesës së qeverisë libaneze për zgjerimin e hetimeve në mënyrë që në të të përfshihen edhe përpjekje të tjera për vrasjen e zyrtarëve të lartë libanezë. Kjo rezolutë u miratua vetëm disa ditë pasi komisioni hetues lëshoi një raport në të cilin thuhet se provat e reja tregojnë se zyrtarë sirianë dhe libanezë të zbulimit kishin gisht në vrasjen e ish kryeminsitrit libanez, Hariri.

Në tetor, kryetari i këtij komisioni, Detlev Mehlis tha se komisioni i tij kishte mbledhur prova që implikonin në vrasjen e zotit Hariri figura të larta të qeverisë së Presidentit të Sirisë, Bashar Assad, përfshirë vëllanë dhe dhëndrrin e Presidentit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB-së John Balton tha se rezoluta e Këshillit të Sigurimit i dërgon një mesazh të fuqishem Sirisë. Rezoluta autorizon komisionin hetues të Kombeve të Bashkuara të ndihmojë autoritetet libaneze, që po merren me hetimet rreth një numër atentatësh kundër politikanëve anti-sirianë në Liban që nga tetori i vitit 2004. Në këto vrasje përfshihet edhe vrasja e fundit e parlamentarit dhe publicistit, Gibran Tueni.

Rezoluta kërkon gjithashtu që Sekretari i përgjithshem i OKB-së të parashtrojë rekomandimet për zgjerimin e mandatit të komisionit hetues që në hetimet e tij të përfshihen edhe këto sulme.

Zëdhenësi i Departamentit amerikan të shtetit, Sean McCormack tha se që nga tetori i vitit 2004, në Liban ka pasur 16 atentate, përpjekje për vrasje dhe bombardime. “Nuk ka dyshim se atje ka idividë, ose grupe që janë të interesuar për të penguar përparimin e Libanit drejt një të ardhme më të qëndrueshme, paqësore dhe demokratike pas tërheqjes së forcave siriane nga Libani.” Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha zoti McCormack mban gjallë vëmendjen mbi Sirinë dhe dështimin e saj për të bashkëpunuar në hetimet rreth vrasjes së ish kryeministrit libanez Rafik Hariri. Përgjegjësit për vrasjen e tij dhe të tjerëve në Liban duhet të nxirren para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG