Njoftime të reja sugjerojnë se programi i përgjimit i miratuar nga presidenti Bush, për të mbikqyrur veprimtaritë terroriste duket se është më i gjerë se sa ka pohuar Shtëpia e Bardhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mil Arcega, njofton se debati në rritje mund të çojë në një ballafaqim midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit lidhur me kufijtë e pushtetit të presidentit.
Gazeta Nju Jork Tajms thotë se Agjencia Kombëtare e Sigurimit së bashku me firma telekomunikimi kanë përgjuar një numër më të madh komunikimesh elektronike sesa u bë e njohur më parë. Duket se kjo agjenci vazhdon programin e përgjimit pa marrë miratim e nga gjykata.
Autori Xhejms Bamford, i cili ka shkruar disa libra mbi praktikat qeveritare të hetimit, përshkruan programin si një shfrytëzim të dhënash: “Përgjohen miliona komunikime dhe asnjë nuk e di se çfarë bëhet me to”, thotë zoti Bamford.
Raporti i Nju Jork Tajmsit bie në kundërshtim me deklaratat e mëparëshme të presidentit Bush, i cili tha se përgjimi nuk ishte përdorur gjerësisht dhe drejtohej vetëm tek të dyshuarit për terroristë. “Programi ka natyrë të kufizuar dhe ka në qendër të vëmendjes ata që dyshohen se kanë lidhje me Al-Kaidën dhe degët e saj”.
Presidenti Bush, i cili shkoi në Krauford të Teksasit pasi kaloi festën e Krishlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, nuk bëri komente mbi njoftimet e fundit, por disa figura kombëtare po e ngrenë zërin gjithmonë e më shumë. I përndershmi, Xhesi Xhekson, një veprimtar i njohur i paqes dhe i të drejtave civile, kërkoi një hetim të plotë dhe shtoi se presidenti duhet t’i shpjegojë publikut se kush përgjohet: “Në qoftë se ky veprim cilësohet si shkelje e kushtetutës, atëherë ai duhet të dalë para gjyqit. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të lemë demokracinë tonë të minohet nga praktika fashiste”, tha zoti Xhekson.
Ndërkohë grupet myslimane në Shtetet e Bashkuara thonë se janë vënë në shënjestër pa të drejtë. Këshilli për Lidhjet Amerikano-Islamike, me qendër në Uashington, po paraqit një kërkesë zyrtare për të shqyrtuar urdhërat ekzekutive të presidentit që kanë autorizuar përgjimin e amerikanëve pa miratim nga gjykata.
Por ish sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauëll, mbështet programin e përgjimit, duke thënë se presidenti ka detyrën e rëndësishme të mbrojtjes së vendit dhe të amerikanëve. Duke folur në rrjetin televiziv të lajmeve ABC, zoti Pauëll pranoi se presidenti mund të kishte marrë autorizim nga gjykata përpara, madje edhe pas fillimit të përgjimit, por ai tha se nuk shikon ndonjë gabim për përdorimin e përgjimit elektronik sekret nga ana e presidentit: “Kombi nuk do të shkatërrohet nga ky problem. Ajo që presidenti është i vendosur të bëjë dhe atë që Kongresi dhe populli amerikan kërkon prej tij, është mbrojtja nga terroristët.”
Ligji për Përgjimin lejon hetuesit të përgjojnë përpara marrjes së miratimit nga gjykata, dhe kanë deri në 72 orë kohë për të marrë aprovimin e gjykatës. Që nga viti 1979, gjykata sekrete ka marrë rreth 19 mijë kërkesa nga Departameni Amerikan i Drejtësisë dhe nuk ka miratuar vetëm disa prej tyre.