Lidhje

Meta: Institucionet kushtetuese nuk kanë mbështetjen politike të qeverisë Berisha


Për të biseduar për disa nga arritjet dhe problemet e Shqipërisë gjatë vitit 2005, Zëri i Amerikës i mori një intervistë, kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Intergrim, Ilir Meta i cili parashikoi një vit të vështirë ekonomik, social dhe institucional për vendin. Zoti Meta tha se institucioneve të pavarura kushtetuese u ka munguar dhe vazhdon t'u mungojë mbështetja politike për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, qeveria Berisha sapo mbushi 100 ditët e para. Ndërsa e dhjathta e ka quajtur plotësisht të suksesshme këtë periudhë, opozita sigurisht ka patur një mendim tërësisht të kundërt. Donim të dinim mendimin tuaj.

Ilir Meta: Mendoj se buxheti tashmë i miratuar nga parlamenti me të gjithë treguesit e tij flasin për një dështim të plotë të gjithë këtyre ditëve të qeverisë së zotit Berisha pas zgjedhjeve të 3 korrikut sikurse dhe paralajmërojnë një vit të vështirë do të thosha ekonomik dhe social por njëkohësisht paralajmërojnë edhe një vit tjetër me probleme mesa duket edhe institucionale duke ju referuar disa nismave, në veçanti ndryshimit që ju bë me vendimin e fundit të parlamentit mënyrës së shkarkimit të disa përfaqësuesve të institucioneve kushtetuese apo duke parë edhe disa sjellje të tjera mjaft të tensionuara dhe plot arbitraritet të zotit Berisha dhe të qeverisë së tij. Pra mendoj se viti 2005 që kishte zgjedhjet e përgjithshme si një mundësi të madhe për Shqipërinë për të hapur vërtetë një rrugë të re për vendin, atë të normalitet dhe jo vazhdimit të konfliktualitetit politik, nuk i ka arritur ato qëllime dhe shpresa, jo për arsye se shqiptarët nuk kanë kontribuar në këtë drejtim por për arsye se partia socialiste dhe ajo demokratike deformuan në mënyrë të pandershme dhe jo kushtetuese vullnetin e tyre nëpërmjet mega-dushkut më 3 korrik duke sjell këtë parlament i cili nuk mund të diskutojë me përgjegjësi për çështje të rëndësishme të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, normaliteti siç e përmëndët, çënohet shpesh nga marrëdhëniet pozitë-opozitë që kanë qënë gjithnjë të acaruara dhe të karakterizuara nga konflikte të përhershme në Shqipëri. Ç’mund të thoni për qëndrimin e shumicës së djathtë ndaj opozitës aktuale?

Ilir Meta: Mund të them se konfliktualiteti ka ardhur dhe vjen si rezultat i mendësive jo demokratike që kanë të dy forcat politike, si partia demokratike ashtu edhe partia socialiste të cilat vënë në plan të parë interesa tërësisht të ngushta. Këtë e kemi parë edhe gjatë viteve të fundit të qeverisjes së partisë socialiste por po e shikojmë edhe gjatë muajve të parë të qeverisë së zotit Berisha pasi mungon arsyetimi, mungon llogjika, mungojnë argumentet në marrjen e vendimeve dhe injorohen tërësisht interesat e vendit. Kjo është si rezultat i atij bllokimi që i kanë bërë këto dy forca të vjetra të gjithë iniciative të reja politike dhe energjive që kërkojnë të shprehin shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme. Besoj se kjo është një lëvizje kundër kohës dhe shumë shpejt pa dyshim në vend do të ketë zhvillime të reja që nuk mund të mbahen më të bllokuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, aktualisht ka një përplasje të ashpër lidhur me vendimin e djeshëm për prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi në Tiranë. Socialistët e kanë cilësuar si hakmarrje politike ndaj kryetarit të tyre. Si e shihni ju këtë konflikt?

Ilir Meta: Që të japësh një gjykim teknik për këtë çështje, sigurisht që është e vështirë për mua dhe cilindo që nuk ka parasysh të gjithë dokumentacionin përkatës dhe për më tepër që nuk është edhe ekspert i çështjeve të tilla të urbanistikës. Por ajo që duket qartë është një tendencë e zotit Berisha jo thjesht ndaj bashkisë së Tiranës por në përgjithësi ndaj gjithë institucioneve të cilat nuk i takojnë partisë demokratike për t'i uzurpuar apo për t'i nënshtruar. Mendoj se ballafaqimi i dokumentacionit teknik me ekspertët përkatës është rruga më e mirë.

Zëri i Amerikës: Parlamenti ka vendosur tashmë ndryshimin e regullores për mënyrën e votimit për çështje që lidhen me institucione të pavarura kushtetuese. Partia juaj e ka çuar në gjykatën kushtetuese këtë problem. Ndërkohë konflikti mes qeverisë dhe prokurorit të përgjithshëm shihet nga disa analistë edhe si një përpjekje për të vënë nën kontroll këtë institucion. A shihni ju ndonjë lidhje midis këtyre dy çështjeve?

Ilir Meta: Po mendoj se ekziston një lidhje midis këtij arsyetimi dhe analize që përmendët edhe ju. Ajo që dua të theksoj është se është e vërtetë që prokuroria deri në zgjedhjet e 3 korrikut nuk ka qënë në atë nivel që do të dëshironte secili, ashtu sikurse nuk kanë qënë edhe organe të tjera të pavarura kushtetuese. Por unë këtë nuk e lidh thjesht me probleme që kanë të bëjnë me titullarët e këtyre institucioneve pasi nuk e shikoj problemin tek ata nga pikëpamja profesionale por e shikoj me mungesën e vullnetit politik e cila ka qënë evidente nga maxhoranca e mëparshme, nga qeveria e mëparshme për të mbështetur këto institucione sepse në fund të fundit po nuk patën mbështetjen e qeverisë, po nuk patën mbështetjen e parlamentit ato nuk mund të tregojnë fuqinë dhe efikasitetin e tyre të vërtetë. Kështu që mendoj se zoti Berisha para se të paragjykojë dhe të sulmojë zotin Sollaku, zotin Çeku apo drejtues të tjerë të këtyre institucioneve duhet tu japi mbështetjen politike, duhet të tregojë vullnetin politik dhe më pas në se prokuroria apo institucinet e tjera nuk arrijnë të ecin përpara dhe të godasin në mënyrë konkrete dhe ligjore korrupsionin apo krimin atëhere mund të merren iniciativa të hapura dhe transparente të cilat mund të synonin jo thjesht vendosjen e besnikëve të zotit Berisha si dikur, por vendosjen e njerëzve më aktivë dhe të aftë. //rd//

XS
SM
MD
LG