Lidhje

Veton Surroi: Një Kosovë që nuk mund t’i kënaqë nevojat e shumicës, nuk mund t’i kënaqë as ato të pakicës


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Kosova është në një fazë shumë kritike në historinë e saj, ka filluar procesin ndoshta më të rëndësishmin në historinë e saj, mendoni që në këtë proces të filluar kemi hyrë ashtu si duhet?

Veton Surroi: Mendoj që kemi hyrë ashtu siç duhet në kuptimin e asaj që bashkësia ndërkombëtare, shtetet e fuqishme e kanë kuptuar që statuskuoja nuk është më e mundshme, dhe ka nevojë për një ndryshim cilësor. Në aspektin e brendshëm të funksionimit të Kosovës, ne kemi shumë telashe, kemi një problem të funksionimit të brendshëm demokratik, të funksionalitetit dhe të tjera, kemi një krizë e cila rrjedh po ashtu nga kriza e kryetarit Rugova, kështu që këto çështje do të determinojnë në njëfarë forme ritmin e zhvillimeve politike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Sa mendoni se ndikon sëmundja e presidentit Rugova në procesin politik dhe sa ndikim do të ketë në të ardhmen?

Veton Surroi: Ndikimi i sëmundjes është bukur i madh, një për shkak të faktit se doktor Rugova është një figurë e cila gjatë 16 vjetëve ka qenë figurë udhëheqëse në Kosovë, dy, për shkak se edhe ne që kemi qenë ndonjëherë kritikë ndaj zotit Rugova, kemi kërkuar rolin e tij në pozitën e presidentit, të unifikuesit të qëndrimeve, tre, për shkak të faktit, se në masë të madhe, nga pozita e re e doktor Rugovës, varet sesi do të zhvillohen çështjet në institucionet tona. Tashmë ka filluar për fat të keq, në formë jo-konsekuente, jo-parimore, ka filluar një luftë e trashëgimisë, ta quajmë kështu, për postin e doktor Rugovës, dhe krejt kjo manifestohet me ndikim negativ në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se Kosova do të duhej të ishte një shembull për vendet që dalin pas konfliktit, ose pas luftës, për të ndërtuar një shoqëri demokratike, me parametra demokratike. Çfarë e pengon Kosovën që të jetë një shoqëri e tillë demokratike, cilat janë pengesat?

Veton Surroi: Në masë të madhe, jo-efikasiteti i kësaj structure politike qeverisëse. Një Kosovë e cila nuk mund t’i kënaqë nevojat e shumicës, nuk mund ti kënaqë as ato të pakicave. Siç e dini, ne kemi një verbalizëm politik, por jo një efikasitet shtetëror, jo një vizion të ndërtimit të shtetit. Kemi hiper-produksion të demagogjisë, por nuk kemi për fat të keq, një prodhim normal të ligjeve, siç duhet t’i ketë një vend.

Zëri i Amerikës: Është folur shumë për çështjen e pakicave në Kosovën e tashme dhe në Kosovën e së ardhmes. A ka përgatitur pala shqiptare, shumica shqiptare në Kosovë një platformë konkrete për integrimin e pakicave në jetën e vendit?

Veton Surroi: Unë kam qenë i përfshirë personalisht dhe e kam marrë këtë detyrë me një ndjenjë përgjegjësie për ardhmërinë jo vetëm të pakicave, por edhe të shumicës. Ne jemi në gjendje në javët e ardhshme, jo në muajt e ardhshëm që të bëjmë një pako e cila avancon, njeh të drejtat e komuniteteve pakicë në shkallën që tejkalon rekomandimet që i bën Këshilli i Evropës, rekomandimet e Helsinkit e të tjera. Besoj se jemi në një fazë ku duhet dëshmuar se mund ta bëjmë këtë, jo vetëm për shkak të pakicave, por në rradhë të parë, për shkak të shumicës, sepse shumica në Kosovë, në gjendjen që është sot, është në të vërtetë një komunitet pakicë, një komunitet i cili nuk i gëzon të drejtat e veta, që duhet t’i gëzojë.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se do ta pranonit pavarësinë e Kosovës, pavarësisht nëse quhet e kushtëzuar apo me cfarëdo lloj prapashtese tjetër. A vazhdoni të qëndroni në këtë pozicion?

Veton Surroi: Krejt ky debat është i kotë, e kushtëzuar apo e pakushtëzuar. Ne kemi hyrë në një process që është I kushtëzuar. Ekzistojnë parimet e Grupit të Kontaktit, të cilat thonë se Kosova pas definimit të statusit, do të ketë prani të huaj ushtarake dhe Kosova pas definimit të statusit, do të ketë prani civile ndërkombëtare. Të dyja këto thonë faktikisht që ka një process kushtëzimi, që ne do të hyjmë, nuk do të dalim si do shtet tjetër, por do të krijojmë një lloj kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare, përsa i përket pranisë ushtarake dhe përsa i përket pranisë civile. Ajo që mua më intereson thelbësisht dhe unë besoj të gjithë qytetarëve të Kosovës, është që emri I këtij statusi të quhet i pavarur, sovranitet i plotë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe brenda atij sovraniteti, një pjesë e ndarë që ka të bëjë me rolin e bashkësisë ndërkombëtare në aspektin ushtarak dhe në atë civil.

XS
SM
MD
LG