Lidhje

Banka Botërore dhe strategjia e saj për Shqipërinë


Banka Botërore miratoi strategjinë e re për Shqipërinë për katër vitet e ardhshme, strategji që parashikon kredi me vlerë deri në 196 milion dollarë ose 63 milion më shumë se sa programi i mëparshëm. Përfaqësues të Bankës dhe të krahut investues të saj, i thanë Zërit të Amerikës se një nga sfidat e mëdha për qeverinë e re shqiptare mbetet tërheqja e investitorëve të huaj dhe kjo kërkon sidomos një qeverisje të mirë.

Nadir Mohammed, i cili drejton operacionet e Bankës Botërore në Shqipëri, mori pjesë së bashku me ekzekutivët e Bankës në diskutimet për strategjinë në Uashington. Ai thotë se përparësitë e tanishme nuk janë shumë të ndryshme nga ato të katër viteve më parë. Por kësaj here, shton ai, theks i veçantë do t’i vihet mirëqeverisjes, nëpërmjet disa mekanizmave ose filtrave që do të përdoren për këtë qëllim:

"Në praktikë, kjo do të thotë se e gjithë mbështetja që jep banka botërore do t’i nënshtrohet disa kritereve, siç janë decentralizimi apo transparenca në përdorimin e fondeve publike. Pra këto do të përdoren si filtra dhe në praktikë kjo do të thotë se do t’i vemë theks të veçantë mirëqeverisjes, në të gjitha ato që do të bëjmë në Shqipëri", thotë zoti Mohammed.

Por në një vend si Shqipëria ku korrupsioni i zyrtarëve ka qenë ngritur thuajse në një sistem, zbatimi i kritereve të mirëqeverisjes mund të mos jetë i lehtë.

Një sfidë tjetër e madhe për qeverinë e zotit Sali Berisha do të jetë tërheqja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, në një vend i cili ka patur emër jo të mirë për luftrat politike raskapitëse dhe për infrastrukturën e dobët.

Pas ardhjes në fuqi me zgjedhjet e tre korrikut, qeveria e re po rishikon projektin e një termocentrali në zonën e Vlorës. Ajo ka hequr dorë nga projekti i elektrifikimit të një pjese të hekurudhës dhe po rishqyrton kontratën për privatizimin e Albtelekomit. Zoti Mohammed i shikon këto zhvillime si një proces normal:

"Kjo është një qeveri e re që erdhi në muajin shtator dhe ishin një numër projektesh të cilët ishin finalizuar ose gjatë fushatës së zgjedhjeve ose pas zgjedhjeve. Me sa di unë, qeveria as nuk i ka hedhur poshtë dhe as i ka anuluar këto projekte, por synon t’ua nënshtrojë ato një analize më të hollësishme. Ne shpresojmë se qeveria do të vendosë pa vonesë".

Zoti Mohammed e pranon se këto janë projekte që shërbejnë si sinjal i rëndësishëm për sektorin privat, por ai nuk ngurron të shtojë se qeveria në fakt është e angazhuar për privatizimin dhe për pjesmarrjen më të fuqishme të sektorit privat në ekonomi. Në të njëjtën kohë, thotë zoti Mohammed, është detyrë e qeverisë të shikojë se sa me vend janë projekte të tilla dhe nëse ka patur probleme në përgatitjen dhe finalizimin e tyre.

Disa analistë mendojnë se Shqipëria e ka kaluar fazën e ristrukturimit të përgjithshëm të ekonomisë dhe ka nevojë për investime. Por kush duhet t’i bëjë këto investime?

Qeveria nuk është në gjendje t’i mbulojë kërkesat për investime, thotë Gjergj Konda, ekonomist i lartë pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare, me qendër në Uashington, një institucion që mund të përshkruhet si krahu financues i Bankës Botërore. Ai merr si shembull sektorin e energjisë në Shqipëri, i cili pak muaj më parë pësoi një tjetër goditje të fortë dhe u zhyt në krizë.

"Do ta ndaja problemin në dy pjesë: Futja e kapaciteteve të reja gjeneruese që do të marrë shumë kohë dhe zgjidhja imediate, pra si do të zgjidhet problemi për tani. Në periudhën afatshkurtër, për shembull për tre vjet, unë do të thosha që sektori privat do të ketë mjaft peshë dhe kjo do të varej mjaft nga reformat që do të ndërmarrë qeveria, pra për ta bërë sektorin e shpërndarjes një sektor interesant për investitorët e huaj".

Por çfarë duan të shikojnë investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri? Zoti Mohammed i Bankës Botërore thotë se ata duan të shikojnë një numër gjërash:

"Ata do të donin të shihnin qeverisje të mirë, një sistem ligjor dhe gjyqësor efektiv si dhe prova se qeveria është e angzhuar për të luftuar korrupsionin. Por ata do të donin gjithashtu të shihnin qartësi në të drejtat pronësore, do të donin të shihnin që çështjet e pronave të jenë zgjidhur, që infrastruktura të përmirësohet dhe që kostoja për të bërë biznes në Shqipëri të jetë e ulur."

Për fat të keq, thotë zoti Konda, mjedisi i biznesit në Shqipëri nuk është tërheqës:

"Në radhë të parë është një treg ende shumë i vogël, së dyti ka mjaft probleme shqetësuese me korrupsionin dhe sigurisht një investitor i huaj dhe serioz nuk mund të merret me probleme të kësaj natyre, për shembull për të çarë doganën dhe institucione të tjera nëpërmjet korrupsionit".

Zoti Konda thotë se institucioni i tij, Korporata Financiare Ndërkombëtare, mund të ndihmojë shumë në tërheqjen e investimeve të huaja. Ajo mund të shërbejë edhe si një ndërmjetës i ndershëm në kontratat që qeveria shqiptare përpiqet të arrijë me investitorët e huaj, për të shmangur veprimet korruptive. //rd//

XS
SM
MD
LG