Probleme të mbipeshës trupore
Një studim i ri tregon se njerëzit me mbipeshë trupore në moshë të mesme janë në rrezik të sëmuren ose të vdesin nga sëmundje të zemrës ose diabeti kur moshohen edhe nëse kolesterina dhe tensioni i gjakut janë në nivele normale. Këto janë rezultatet e një studimi që u botuan kohët e fundit në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Në të thuhet se mbipesha trupore përbën një faktor rreziku për sëmundje të zemrës edhe nëse personi duket i shëndetshëm. Doktor Robert Kushner është mjek specialist për mbipeshën. Nga pacientët e tij ai shpesh dëgjon këtë pyetje: Nëse nivelet e sheqerit në gjak, kolesterinës dhe tensionit të gjakut janë normalë, atëherë përse duhet të shqetësohemi për mbipeshën? Kësaj pyetje i përgjigjet studimi botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë.
Mjekja Lijin Yan e universitetit Northwestern thotë se edhe personat që nuk vuanin nga kolesterina e lartë apo tensioni i gjakut e diabeti, por që kishin qënë tepër të shëndoshë ose mbipeshë në moshën e mesme, janë në rrezik të sëmuren ose të vdesin nga sëmundje të zemrës ose diabeti, kur moshohen edhe nëse kolesterina dhe tensioni i gjakut janë në nivele normale. Të dhënat shëndetësore të rreth 17 mijë amerikanëve, shëndeti i të cilëve u vëzhgua për afro 30 vjet, treguan një lidhje midis mbipeshës trupore në moshë të mesme dhe shtrimit në spital dhe vdekjeve pas moshës 65 vjeçare.
Mjekja Lijing Yan thotë se studimi përbën një tjetër arsye që njerëzit të tregojnë kujdes ndaj peshës trupore, madje kjo vlen edhe për ata që mendojnë se nuk janë diabetikë dhe tensionin e gjakut e kanë normal.
Studimi tregoi gjithashtu se njerëzit me mbi peshë trupore në moshë të mesme rrezikohen 4 herë më shumë të shtrohen në spital për sëmundje të zemrës në moshë të vonë, ndërsa rreziku për të vdekur nga diabeti ishte 11 herë më i lartë.
Doktor Kushner thotë se çdo kilogram mbi peshën trupore që njeriu shton në moshë të mesme, kthehet në dëm për shëndetin më vonë gjatë jetës. Gjithashtu gjasat janë që njerëz të tillë të shtrohen në spital më shpesh dhe të vdesin më herët.
Pra njerëzit në moshë të mesme duhet të tregojnë kujdes për peshën trupore tani për të patur një jetë të shëndetëshme pas 30 vjetësh.
Alergjia ndaj ushqimeve
Rreth 7 milionë amerikanë vuajnë nga alergjia e ushqimeve dhe 8 përqind e artikujve ushqimorë, përfshi kikirëkët, arrat, peshkut, vezët e bulmeti, janë përgjegjës për rreth 90 përqind të rasteve të alergjive ushqimore. Ndërkohë vdekja e kohëve të fundit e një vajze kanadeze, si pasojë e alergjisë pasi kishte puthur te dashurin i cili sapo kishte ngrëne gjalp kikiriku, ka ngritur përsëri shqetësime dhe shumë pyetje rreth alergjisë ndaj ushqimeve.
Gazetat kanadeze e quajtën atë puthje fatale. Pak çaste pase Kristina Deforges puthi të dashurin e saj, që kishte ngrënë gjalp kikiriku, ajo u rrëzua pa ndjenja dhe menjëherë u dërgua në spital ku vdiq katër ditë më vonë. Statistikat tregojnë se rastet e alergjisë apo reaksioneve ndaj ushqimeve po vijnë duke u shtuar. Alergjia ndaj ushqimeve ndodh kur sistemi imunitar reagon ndaj një proteine të veçantë ushqimore.
Shumë vetë mendojnë se alergjia ndaj ushqimit dhe mospranimi i ushqimit nga organizmi janë e njëjta gjë. Por kjo nuk është e vërtetë. Mospranimi i një lloj ushqimi nga organizmi është çrregullim metabolik që nuk ka lidhje me sistemin imunitar. Për shembull kur disa njerëz pijnë qumësh, bëhen me dhimbje barku dhe ndjejnë fryrje. Kjo ndodh sepse organizmi nuk e pranon një ushqim të tillë, stomaku nuk është në gjendje ta përpunojë atë, pra problemi lidhet me metabolizmin.
Ndërsa alergjia është diçka tjetër: në përpjekje për të mbrojtur organizmin, sistemi imunitar krijon Imunoglobulin, lloj anti trupash, të cilët reagojnë ndaj ushqimit dhe kimikateve të tjera që bëhen shkak për simptoma të alergjisë që mund të prekin sistemin e frymëmarrjes, sistemin e tretjes, lëkurën dhe sistemin kardio-vaskular.
Disa thonë se arsyeja që shumë amerikanë preken nga alergjia e kikirikëve është se ata i pjekin kikirikët para se t’i hanë, ndryshe nga banorët në Azi ku kikirikët hahen të ziera ose të skuqura.
Doktor Sampson pranë shkollës mjekësore Mount Sinai thotë se pjekja e kikirikëve sjell ndryshime në strukturën e proteinave dhe kjo ka të ngjarë se shkakton alergji. Një tjetër arsye e mundëshme është se fëmijët amerikanë sot janë ndoshta shumë të pastër. Shkencëtarët thonë se fëmijët e kanë të nevojëshme të ekspozohen ndaj baktereve që në moshë të re për të mbajtur aktiv sistemin imunitar të trupit, përndryshe sistemi imunitar mund të kundër veprojë ose mund të reagojë më tepër sesa duhet ndaj ushqimeve të ndryshme.
E vetmja mënyrë për të shmangur alergjinë ndaj kikirikëve ose çdo lloj ushqimi që bën reaksion është shmangja e tyre. Shumë artikuj ushqimorë tani pajisen me etiketa që tregojnë përbërjen ushqimore. Nëse etiketat përmbajnë terma të paqarta ose të pakuptueshme, njerëzit alergjikë duhet të këshillohen me mjekun specialist para se të përdorin ushqime të tilla, dhe nëse ndonjë artikull nuk është i pajisur me etiketë mbi përbërjen ushqimore, personat alergjikë duhet ta shmangin atë lloj ushqimi.