Lidhje

Surroi: Ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur garanton të drejtat e pakicave


Një ndër anëtarët e grupit negociator të Prishtinës në bisedimet për statusin e Kosovës, dhe kryetar i Partisë Ora, Veton Surroi ndodhet aktualisht në Vjenë ku është takuar me ndërmjetësin ndërkombëtar në negociata, zotin Martii Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi çfarë diskutuat në takimin me zotin Ahtisari?

Veton Surroi: Natyrisht që diskutimi ishte rreth procesit negociator, i cili ka filluar dhe do të vazhdojë me datën 25 dhe më tej në data të tjera. Kjo ishte për të parë jo vetëm dimensionin e mbledhjes së ardhshme, por për të parë edhe kontekstin e përgjithshëm të asaj që duhet bërë në procesin negociator.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, po afron data e takimit në Vjenë për të diskutuar procesin e decentralizimit në Kosovë. Megjithatë ende nuk ka një delegacion zyrtar për këto negociata. Çfarë e ka penguar përgatitjen për këtë takim dhe sa mund të rrezikohet pozita negociuese e palës shqiptare nga kjo?

Veton Surroi: Unë nuk do të brengosesha, dhe mendoj se grupi politik e ka marrë me seriozitet këtë çështje, ka vepruar në mbledhjet e kaluara dhe është harmonizuar pozicioni i Kosovës rreth procesit të decentralizimit. Dhe ky proces është fare i thjeshtë, sepse siç e dini procesi i decentralizimit ka të bëjë me ndërtimin e një sistemi kushtetues juridik. Kosova duhet të ketë kushtetutën e saj si shtet i pavarur, dhe brenda atij shteti natyrisht duhet të arrihet ekuilibri i atillë mes pushtetin qendror dhe pushtetit lokal me të cilin qytetarët duhet të jenë të kënaqur.

Zëri i Amerikës: Si qeveria ashtu edhe opozita në Kosovë kërkon që t’u njihen të drejta të njëjta si pakicave në Kosovë ashtu edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Si është pritur ky paralelizëm nga zyrarët ndërkombëtarë?

Veton Surroi: Unë nuk mund të komentoj se si e presin të tjerët. Por po ta vini në një kontekst të dhjetë viteve të kaluara, sot kur ndodhin bisedimet lidhur me statusin e Kosovës dhe në veçanti tani me decentralizimin kemi të bëjmë me dy qasje themelore. Qasja e parë është ajo e Dejtonit, pra ajo e shndërrimit të territoreve etnike dhe krijimit të republikës serbe. Qasja e e dytë është ajo e Ohrit në të cilën edhe disa prej nesh kemi ndikuar pozitivisht në vitet e kaluara, dhe e cila i sheh të drejtat e komuniteteve jo ekskluzivisht në baza territoriale. Kjo do të thotë se qasja e Beogradit është qasje që ende kërkon enklavizim, kërkon krijimin e territorit etnik, ndërsa qasja e Prishtinës është që brenda një tërësie, brenda Kosovës të arrihet maksimumi i të drejtave, njohja e maksimumit të të drejtave për komunitetet. Pra, e vetmja pengesë që duhet të shtrohet tek kufizimi i të drejtave është funksionaliteti i shtetit dhe asgjë tjetër. Nëse Kosova funksionon si tërësi, pra si një shtet demokratik, atëherë nuk duhet pasur asnjë kufizim për sa u përket të drejtave të komuniteteve.

Zëri i Amerikës: Shumë analistë kanë ngritur shqetësimin për një nivel të ulët të krijimit të kapaciteteve qeverisëse, megjithë kompetencat në rritje që i janë dhënë qeverisë së Kosovës. Pa folur këtu për problemet që krijon statusi a mund të komentoni ju lutem për problemet që kanë shkaktuar këtë zvarritje në reforma?

Veton Surroi: Zvarritja ka shkaktuar probleme qeverisëse, probleme të efikasitetit, të sundimit të ligjit dhe korrupsionit dhe të tjera, dhe të gjitha këto kanë zbehur pozicionin negociator dhe janë një faktor real negativ kundër pozicionit negociator të Kosovës dhe të gjitha këto natyrisht duhen kuptuar me seriozitetin më të lartë dhe duhen tejkaluar.

XS
SM
MD
LG